“Ishte truri dhe dirigjenti i Tiranës”, Ilir Meta dekoron “Mjeshtër i madh” legjendën e bardhebluve

Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka dekoruar ditën e sotme një nga emrat e mëdhenj të futbollit shqiptar. Një mesfushor që ka lënë gjurmë të thella me fanellën bardheblu të Tiranës, Shkëlqim Muça, ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh”. Kontributi i dhënë prejt për vite me radhë është shpërblyer nga Ilir Meta, i cili nuk i kursen elozhet për figurën e ish-lojtarit.

Muça i ka qendruar besnik ngjyrave të Tiranës përgjatë karrierës së tij, ku është shquar për talentin e tij dhe ku ka shënuar plot 87 gola. Gjithashtu ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare, me të cilën ka përfaqësuar denjësisht ngjyrat kuqezi të vendit tonë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Njoftimi i Ilir Metës:

Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë.

Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit” dhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin si titullar me “Shpresat” në 1981, si kampionë të Ballkanit, për të vijuar me disa tituj Kampion dhe Kupa Republike me “Tironën vija-vija”.

Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushën e blertë, sulmues befasues dhe gjuajtës rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve.

Sportdashësit e viteve ’80 e mbajnë mend shumë mirë kur bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme për kundërshtarët, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.

Pa harruar kontributin e tij të vyer në fitoren 2-0 me Belgjikën e madhe të asaj kohe, ku padyshim ai mbajti një peshë shumë të madhe.

Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta të arritura, si futbollist e si trajner, duke nderuar fanelën bardhë e blu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive, kisha sot kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën, me Titullin “Mjeshtër i Madh”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *