Bundesliga zbriti sërish në fushën e lojës ditën e sotme, duke ardhur sërish në sytë e tifozëve, të cilët tashmë do i shohin ekipet e zemrës nga shtëpitë e tyre dhe jo nga shkallët e stadiumit. Kampionati gjerman ka rikthyer edhe njëherë në një ndeshje futbolli dy lojtarët shqiptar, Klaus Gjasulën dhe Valon Berishën. Ky i fundit ka qenë i pafat në takimin e sotëm, teksa shtylla i mohoi dy herë shijen e golit.
Sulmuesi dardan ka dhënë një intervistë pas ndeshjes për “gazeta objektiv”, ku ka ndarë me të gjithë ndesitë që linte një ndeshje pas pandemisë Covid-19. Stadiume të boshatisur dhe rregulla të reja do të diktojnë deri në fund këtë sezon, ndërsa Berisha tregon se ndesia ishte ndryshe nga më parë, madje e njëhtë me atë të një ndeshjeje miqësore.
“Ishte ndjenjë pak më ndryshe, normale se tifozët nuk ishin më shkallët e stadiumit. Ishte shumë qetë në stadium, por shëndeti është primar kështu që të vazhdojmë duke i respektuar rregullat. Si ndjenjë ishte si një ndeshje miqësore, megjithëse luhej për pikë.
Fati sot nuk ishte me ne. Zhvillova një ndeshje të mirë, godita dy shtylla por ndeshja përfundoi pa gola. Shpresoj shumë që të ndryshojë në ndeshjet e radhës. Me rregullat nuk ishte ndonjë problem i madh çdo gjë ishte në rregull. I kemi respektuar në maksimum. Stërvitjet në grupe kanë qenë të rënda, jemi ushtruar shumë kështu që më në fund tani filluam ndeshjet përsëri dhe do të stërvitemi të gjithë së bashku”, ka thënë Valon Berisha./Halit Delibashi-Sport Ekspres/