Agustin Torasa ka folur në një lidhje direkte nga Buenos Airesi për emisionin “Botërori Katar 2022” në “Ora TV”. Ish-futbollisti i Tiranës ka treguar se si po e përjeton kombi i tij fitoren e Kupës së Botës. Sot në rrugët e Argjentinës ka vetëm festë dhe sidomos pas një fitoreje aq dramatike si ajo kundër Francës.
“Jam shumë i lumtur. Njerëzit këtu janë çmendur, kanë dalë në rrugë dhe kudo për të festuar këtë Kupë Bote. Ishte një ndeshje e çmendur, por në fund fituam. Ishte një ndeshje fantastike. Jam i kënaqur për Argjentinën dhe për Mesin, sepse nuk kishte fituar asnjë Botërorë. Sot ishte shumë mirë.
Momentalisht jam pa ekip. Do më pëlqente të luaja sërish në Shqipëri. Më pëlqen shumë Shqipëria dhe më pëlqen shumë futbolli. Nëse doni Torasën, më telefononi. Mesi apo Maradona? Sot Mesi, sepse kurrë nuk e kishte fituar Kupën e Botës. Ç’mund të them për Mesin? Sot do kërcej tango, regeton, çdo gjë”, është shprehur Agustin Torasa./Halit Delibashi-Sport Ekspres/