Kanë përfunduar dy sfidat e sotme të javës së 28 të “Abissnet Superiore”-s. Vllaznia ka shkëlqyer me trajnerin e ri në pankinë. Sedloski e nis me tre pikë aventurën e tij në kampionatin shqiptar. Kuqeblutë kanë mposhtur me shifrat 3-1 Erzenin. Marku nisi festën në minutën e 41-të në “Loro Boriçi”, kur shënoi një gol spektakolar që ndezi tifozerinë shkodrane. Më pas, në pjesën e dytë, Latifi gjen rrugën e rrjetës dhe dyfishon shifrat. Nonato kundërpërgjigjet në minutën e 75, por 10 minuta më vonë ishte Fjoart Jonuzi që me një parabël fiksoi shifrat në 3-1.
Në krahun tjetër, Laçi kthehet te fitorja pas një seri rezultatesh negative. Kurbinasit kanë përmbysur Teutën në “Niko Dovana” dhe marrin tre pikë të rëndësishme në duelin e drejtpërdrejtë të zonës së ftohtë. Teuta gjeti golin e para me anë të Dacit në minutën e 65, por 11 minuta më vonë Guindo ktheu baraspeshën nga pika e bardhë e penalltisë. Për golin e fitores mendoi Vasil Shkurtaj, i cili tundi rrjetën në minutën e fundit të kohës së rregullt. Pas përfundimit të dy takimeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Ti bo gol” në “Oversport”.
Sedloski (Vllaznia): “Në radhë të parë dua të falenderoj lojtarët e mi. Kam pasur një kohë të shkurtër, vetëm tre ditë stërvitje. Kemi bashkëpunuar. Unë kam mundur të njoh ata, ata kanë mundur të më njohin mua. Nuk është e lehtë të njohësh ekipin për tre ditë dhe të bësh diçka të mirë. Por kam besuar gjithçka te ata. Kemi pasur edhe raste të tjerë. Sigurisht, ishte i nevojshëm të ishte edhe goli i katërt. Por kemi bërë një lojë të mirë. Duhet të mendojmë për ndeshjet e ardhshme. Një përshëndetje për lojtarët e mi për atë që treguan në fushë dhe për tifozët, që ishin lojtari i 12 i ekipit. Gjithashtu, dua të falenderoj edhe kundërshtarin për lojën e mirë. Nuk kemi pasur bisede me presidentin për titullin. Jemi pak larg prej tij. Por të marrim ndeshje pas ndeshjeje dhe do të shohim”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/