“Ishim të jashtëzakonshëm”! Memelli është kundër idesë së Longos: Goli më i bukur është ai që kalon vijën fatale

Kukësi i Longos po zhvillon futbollin më të bukur në Superiore, duke hequr ndeshjen e javës së tetë ndaj Skënderbeut. Korçarët kanë arritur që të fitojnë me shifrat 2-0 falë realizimeve të Dumfur dhe Mensah. Verilindorët humbën identitetin e tyre në këtë transfertë duke mos rrezikuar portën e kundërshtarit për asnjë moment të vetëm.

Goli i parë erdhi me Dumfur që kërceu mbi të gjithë pas krosimit të Marës në të 53. Ndërkohë Kukësi nuk po arrinte që të reagonte dhe të shfaqte shenja force, pavarësisht se ishte hedhur i gjithi në sulm. Disa kundërsulmeve të Skënderbeut ishin të frikshme, por pasimi final mungoi për të mbyllur ndeshjen.

Gjithçka do të përmbyllej me pasimin fantastik të Berishës që gjeti Mensah të vetëm përballë Tafas. Goli do të anulohej, por me VAR u vu re se Mensah ishte në gjysmëfushën e Skënderbeut në nisje të aksionit dhe për këtë arsye realizimi ishte i vlefshëm, me të drejtë. Gjithashtu takimi kishte edhe tre minuta ndërprerje për shkakun e koreve fyese që erdhën nga tifozët e Skënderbeut. Dy skuadra të transformuara, me korçarët që ishin në krizë rezultatesh dhe nxorrën fytyrën më të shëmtuar të Kukësit të Longos, që ishte kaq i bukur për realitetin e Superiores. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve për “Supersport”:

Memelli: “Kukësi ka një trajner të jashtëzakonshëm. Sot duhej t’i ngushtonim hapësirat pasi rivali luan nga poshtë. Kemi qenë të jashtëzakonshëm sot dhe dua të komplimentoj lojtarët e mi. Kemi gabuar vetëm në pasimin final dhe rezultati duhej të ishte më i thellë. Goli i parë ishte idiot sipas Longos? Është konstatim i vrazhdë, por nuk dua të hyj në debate. Perceptimi për ta quajtur si të tillë, nuk është i duhuri. Goli më i bukur është ai që kalon vijën fatale”.

Longo: “Nuk them dot që Kukësi nuk u shfaq sot, është mendimi juaj. Skënderbeu luajti shumë mirë sot në shtëpi. Skënderbeu luan gjithmonë me të njëjtën mënyrë në të shtëpi, 10 lojtarë në mbrojtje dhe një që të jetë gati për kundërsulm. Në pjesën e parë, e menaxhuam mirë. Nuk patëm raste, por as që nuk u rrezikuam. Pastaj kur duhet të ndërronim ritmin e lojës, pësuam një gol “idiot”. Pas këtij goli, e humbëm mendjen në fushë dhe u sollëm si fëmijë. Duhej që të luanim me topin pas e pësuam golin e parë, jo të hidheshim të gjithë para dhe të linim vetëm një lojtar në mbrojtje. Kështu nuk luhet futbolli”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *