“Isha me Silvinjon dhe papritur ra shishja e ujit në tavolinën tjetër”! Sulçe tregon trajnerin e Shqipërisë: Shkoi për ta ngritur, ishin 70 veta aty dhe askush se bëri

Silvinjo! Pas kohës së De Biazit, me siguri që ky është trajneri më i përfolur i momentit te Shqipëria. Për më tepër që i ka fituar zemrat e tifozëve në kohë rekord, italiani ka kërkuar shumë kohë deri në momentin që u kthye në heroin tonë. Por çfarë e karakterizon Silvinjon, përtej pasionit dhe dëshirës për të bërë mirë? Një detaj shumë interesant vjen nga prezantuesi dhe drejtuesi i emisionit “Ora Sport”, Altin Sulçe. Ky i fundit ishte i ftuar në “Ora News”, por përtej analizës së bërë, ajo që kishte më shumë rëndësi, ishte një detaj vërtet interesant që tregon shumë për trajnerin tonë. Në një festë të organizuar në FSHF, kur bie një shishe uji në një tavolinë tjetër dhe për të gjithë ne është gjë fare e rëndomtë dhe e zakonshme që të ndodh, Silvinjo ngrihet dhe shkon për ta çuar sërish në vendin e saj. Kaq mjafton!

“Silvinjo ka bërë disa lëvizje të rëndësishme, ka gjetur dy personazhe, të dy janë mëngjarash. I pari është Jasir Asani, që realizoi golin e javës me Moldavinë. Pa harruar edhe Mitajn që nuk i ka mbushur 20-vjeç, është për t’u vlerësuar. Një lojtar elegant, që ka tru futbolli sikur është në fund të karrierës. Ka pjekuri më të madhe se mosha. Është i saktë, taktik. Po të shohim golin e Mucit, erdhi nga marrja e topit e bukur e Mitajt. Kemi transformimin e shumë lojtarëve, Nedim Bajrami që më parë nuk po i gjendej vendi, tani po shkëlqen. Kemi Asllanin që “e qau” golin, tregoi shumë klas. Por unë dua të ndalem te Mitaj, në moshë të re ka treguar shumë nga potenciali i tij. Me rëndësi është që të shkojmë në Europian.

Njëherë thonë që është rastësi, por nëse ndodh prapë, do të jetë vazhdimësi. Tani kemi eksperiencë, nuk do të jemi më njësoj si në Francë që dukej e pabesueshme. Silvinjo? Është njeri interesant, ishim në një ditë në një festë të organizuar nga FSHF. Të gjithë ishim të veshur me kostum. Unë isha me Silvinjon duke biseduar, në tavolinën tjetër, diku më larg, ishte një shishe uji. Shishja e ujit bie dhe Silvinjo ngrihet nga tavolina jonë, shkon e merr shishen e ujit dhe e vendos mbi tavolinë. Ishim 70 veta aty, askush tjetër nga ne nuk e bëri. Mesazhi ishte i qartë, i thjeshtë, i përulur, europian dhe brazilian brenda, i rritur me Guardiolën. Ka entuziazëm dhe dashuri për punën”, tha Sulçe. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *