“Inzagi është si Guardiola”, Igli Tare: Shqetësohem kur thonë se ishte mrekulli vendi i 2-të i Lacios, ishte frut i punës

Igli Tare ka biseduar me Ivan Caxaronin dhe Fabio Karesën në “Deejay Football Club” për ecurinë e Lacios, si dhe për trajnerin Simone Inzagi. Ish-drejtori sportiv i bardhekaltërve thotë se shqetësohet kur dëgjon se arritja e vendit të dytë nga Lacio ishte një mrekulli. Ai thekson se skuadra kryeqytetasi pati një proces të vazhdueshëm rritjeje që kulmoi me një sukses të tillë. Sa i përket Inzagit, Tare shprehet se për të ka pasur të njëjtën ndjesi si për Guardiolën. Sipas tij, të dy kanë diçka më shumë se të tjerët.

“Shpesh është folur për një mrekulli. Kjo fjalë më shqetëson shumë. Jam i bindur që edhe këtë vit Lacio ka një skuadër të shkëlqyer, e cila mund të garojë për katër vendet e para. Mendoj se mrekullia mund të jetë kur fiton një ndeshje, jo kur për një vit të tërë je në top katërshen e kampionatit. Kur punëson një trajner si Sarri dhe ke një skuadër që një vit më parë kishte arritur në 1/16-t e Ligës së Kampionëve, do të thotë që je protagonist i një procesi rritjeje. Në futboll ne flasim shumë shpesh për mrekulli. Si për shembull Bolonja këtë vit apo Atalanta vite më pare. Zikaltrit (Atalanta) ishin në krye sepse e meritonin, si kuqeblutë (Bolonja) sot. Rezultatet janë fryt i punës.

Inzagi? Edhe si futbollist ka treguar diçka të veçantë. Kam pasur të njëjtën ndjenjë me Guardiolën. Mund të shihje se ata kishin diçka më shumë se të tjerët. Simone është një person i thellë, ai kujdeset për çdo detaj të vogël. Ai është obsesiv dhe është i aftë të krijojë një marrëdhënie unike me ekipin”, ka deklaruar Igli Tarja./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *