Partizani e ka mbyllur në paqe 0-0 takimin e sotëm kundër Bylisit, teksa gjithçka është mbyllur me rrjeta të paprekura. Mbrojtja e të kuqve vazhdon të mos fusë ujë dhe mbetet më e mira e kampionatit së bashku me Teutën. Megjithatë e njëjta gjë nuk vlen për sulmin e kryeqytetasve. Dhjetori po rezulton një muaj “i mallkuar” për Partizanin, i cili edhe pse ka realiuar 4 përballje përgjatë këtij muaji ende nuk ka provuar shijen e fitores. Pas vërshëllimës përfundimtare të arbitrit kanë folur për mikrofonin e “Supersport” protagonistët e takimit.
Daja (Partizani): “Përpara se të përgjigjem dua të shikoj njëherë tabelën e klasifikimit. Po thoni që nuk kemi bërë asgjë. Problemi është këtu. Me gjithë këto probleme që listuat, prapë Partizani është në vendin e 3-të. Kemi bërë një kampionat ku në pjesën më të madhe kemi qenë mbi mesatare. Sa për Melon, po ju them një fakt. Nëse ne kemi një humbje me Kastriotin, një humbje me Vllazninë, një penallti me Teutën, janë të 3 ndeshje ku Melo futet 20-25 minuta, në vend që të ruajmë balancat ne ç’rreshtohemi. Askush nuk e ka vendin të sigurt në formacion. Më mirë të luajë një lojtar i ri, se sa një lojtar që ndoshta emrin ka dhe në fushë nuk jep asgjë.
Kur dihen rezultatet e ndeshjeve ndonjëherë bëhet një ngarkesë më e madhe psikologjike sepse kërkon me doemos ta fitosh lojën. Ajo që na shqetëson, pa e hequr përgjegjësinë, lojtarët nuk përplasen fare. Shikoja lojtarët e Bylisit, brenda rregullores këtë herë sepse herë të tjera dalin nga rregullorja, që kërkonin që dyluftimet kërkonin ti fitonin. Ndërsa ne kemi disa lojtarë që duan të luajnë vetëm kur i vjen topi”.
Ujka (Bylis): “Mendoj që ekipi luajti shumë mirë, sidomos pjesën e dytë. Nuk është se bëra një ndeshje kush e di se cfarë, thjesht dhashë maksimumin. Mosaktivizimi titullar? Kjo vjen për shkak të një dëmtimi që mora në javën e parë. Por dalë ngadalë kam filluar të aktivizohem. Partizani kundërshtari më i mirë? Sot nuk është se u vu re që ishte skuadra më e mirë. Kam luajtur edhe me më të mirë. Nuk është se na hapi vështirësi në fushë Partizani sot”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/