Intervistat/ “Po pësojmë gola me gabime copy-paste”, Daja i pakënaqur: Nuk mund të ishin gjithë këto barazime

Dinamo-Partizani, sa shumë i kishte munguar ky derbi Superiores. Skuadrat dhuruan spektaklin e premtuar në fushën e lojës. Derbi i parë i kryeqytetit fali emocione të veçanta me lojën e zhvilluar në fushën e “Elbasan Aarenas”, megjithëse në fund nuk nxorri asnjë ekip fitues. Ndeshja u mbyll në baraspeshë 1-1, ndërsa golat do të shënoheshin nga  Ibraimi në mintuën e 15 dhe Xhunior me anë të 11 metërshit në të 75-n. Në fund të derbit, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për Supersport.

Daja: “Do të thoja që përveç se nuk po shënojmë, po pësojmë gola nga gabimet që pothuajse janë “copy-paste” në çdo ndeshje. Duhet ta mbajmë të paktën portën një ndeshje pa pësuar gola në këtë lloj formë që pësojmë ne. Ndoshta mundet që të shkojmë më lehtë te fitorja. Nuk mund të ishin gjithë këto barazime, sepse duhet një punë shumë e madhe e ekipit për të superuar këto lloj gabimesh. Nuk është njësoj sikur ta nisësh ndeshjen me 0 gola dhe të pësosh një gol. Por që po na bëhet gati në çdo ndeshje e njëjta situatë.

Ne kemi përdorur në këto katër ndeshje, pothuajse të gjithë kontigjentin që kemi. Natyrshëm që kemi marrë një informacion tani për çdo lojtar dhe e keqja tani është që ky informacion merret nëpërmejt ndeshjeve zyrtare. Kemi ndryshuar vendosjen për të kaluar këto gabime, për ti dhënë pak qetësi mbrojtësave për të qenë në një pozicion që të shmangin presionin e marrë. Por edhe sot u gabua pa asnjë lloj presioni, u gabua pas një pasimi shumë të thjeshtë. Një minutë përpara ishte situatë po e njëjtë krahun tjetër, nuk e shfrytëzuam. Në momentin që nuk do të pësojmë gol do ta kemi më të thjeshtë për të shkuar te fitorja.

Pushimet që na japin ndeshjet e ekipit kombëtar do të kemi mundësinë që të paktën të përmirësojmë më shumë manovrën, ta automatizojmë për këto dy sisteme dhe ta provojmë për një të trëtë që ndoshta nuk e kemi provuar deri tani. Doza e presionit psikologjik për marrjen e rezultateve ndihet, sepse ky është një faktor që ndoshta edhe lojtarët i vë në presion”.

Shkëmbi: “Duke e njohur Sofranac mendoj që nuk ka nevojë për kritika. Është një lojtar me eksperiencë, një lojtar shumë stabël te ekipi jonë. Por e di që në futboll bëhen gabime në atë moment që ti nuk e pret. Më erdhi keq edhe për Sofranac por edhe për ekipin. Deri në ato momente po bënim një lojë të mirë dhe do ishte akoma më bukur ta vazhdonim të barabartë lojën deri në fund.

Mbulimi i Kaçes? Po, është e vërtetë. Duke ndjekur kundërshtarin, duke e studiuar kundërshtarin. Kaçe është një pikë referimi i Partizanit. Një lojtar me shumë eksperiencë dhe e menduam në këtë mënyrë. Në pjesën e parë shkoi mirë, pastaj pas daljes me karton të kuq gjithçka u bë më e vështirë. Shumë falenderime për djemtë, për sakrificën që bënë.

Mendova të ndërroja krahët, duke futur Bardhin, Haxhiun apo Maliqin, që janë lojtarë të shpejtë. Mendova për Ibraimin që do ishte  pika e referimit tonë, që për mua bëri shumë mirë dhe e bëri për notën 10 deri në momentin që ishte. Ishte ai lojtari që mbante në presion në momentin që  merrte topin gjithë ekipin kundërshtar dhe mendoj që deri diku dolën mirë. Po të ndërroja Ibraimin nuk i dihej çfarë mund të ndodhte.

Mendoj që ndoshta 6 pikë nuk janë pozitive, nuk janë ato që donim. Por unë personalisht, duke marrë para sysh të gjitha çfarë kanë ndodhur që nga dita e parë, me mënyrën si po stërvitet dhe po luan skuadra, unë jam i kënaqur deri në këtë moment. Patjetër që kemi mundësi më shumë dhe jam i bindur që ndeshje pas ndeshje do të përmirësohemi më shumë dhe do jemi më efikas për të marrë pikët”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *