Në Kategorinë Superiore janë zhvilluar edhe takimet e fundit që ishin të vlefshme për javën e 30. Surpriza e madhe ka ardhur nga Laçi, atje ku djemtë e drejtuar nga ana e Cungut kanë mundur Kukësin me shifrat 2-0, për t’i hapur rrugën e titullit Tiranës. Bylisi do të fitonte falë golit të Hidit në minutën e fundit ndaj Skënderbeut, ndërsa Teuta bëri goleadë në shifrat 1-5 ndaj Luftëtarit. Më poshtë keni edhe prononcimet e protagonistëve për “Supersport”:
Cungu (Laçi): “Komplimente djemëve për ndeshjen e zhvilluar. Por ne kishim shanse për të fituar edhe me thellë ndaj Kukësit. Pandemia ka ndikuar dhe është e vështirë për një ekip shqiptar që të marrë formën e dikurshme. I dhamë terren Kukësit në 30 minutat e para? Nuk është e vërtetë, këtë nuk e bëjmë dot as me një ekip të fëmijëve dhe jo me Kukësin, që dihet për cilësitë që ka. Më erdhi keq për Kukësin? Kur unë mund Vllazninë, që më rreh zemra aq shumë për të dhe ekipet e tjera vijnë shumë më poshtë, atëherë duhet të bëj punën time, pavarësisht respektit që kam”.
Daja (Skënderbeu): “Dhemb shumë për mënyrën sesi erdhi kjo humbje, por kishim shumë ndeshje pa marrë disfatë. Unë nuk jam nga ata trajnerët që them e dha penallti apo nuk e dha penallti, me të drejtë apo pa të drejtë. Megjithëse në fakt penalltitë për ne nuk janë, për kundërshtarët janë, duke parë shumë ndeshje të fundit. Por le të mbrojmë lojtarët nga dëmtimet dhe përderisa virusi është ende vërdallë, atëherë i bëj thirrje lojtarëve të mi që të jenë të kujdesshëm. 11-metërshi i dhënë sot për Bylisin? Nuk dua të merrem, është i fundit fare. Merreni pak ndeshjen sot në analizë, të gjithën, sa i përket arbitrimit. Ajo që unë dua është që ashtu si dalin lojtarët tanë me karton të kuq, duhet të dalë edhe kundërshtari për ndërhyrjet e ashpra. Pra nuk e kam me penalltinë konkretisht sot, por me kartonat e kuq që nuk janë dhënë dhe për ndërprerjet e shumta të aksioneve”.