Shumë gola dhe spektakël! Kështu është mbyllur edhe kjo javë, teksa Kukësi ka arritur të fitojë ndaj Partizanit në shifrat 1-3, ndërsa Tirana ia ka dalë me shifrat 0-5 ndaj Luftëtarit. Në të njëjtën ritëm është mbyllur edhe Laçi-Vllaznia, që ka dalë 5-2. Bylisi ka fituar në minutën e fundit falë golit të Goxhës, ndërsa Skënderbeu ka mundur 0-1 ndaj Flamurtarin. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Egbo (Tirana): “I thashë çunave në pushimin e pjesës së parë që duhet të futeni dhe të shënoni sa më tepër gola. Kjo është bërë dhe tani duhet që të shohim për ndeshjen e radhës që e kemi në Kupë. Probleme me Ngon? Është diçka që ndodh brenda familjes, pavarësisht ndonjë gabimi që mund të jetë. Do vazhdoj si trajner i Tiranës në Europë? Nuk e ka mendjen fare aty, dua ta mbyll njëherë me objektivin që kemi se është e veçantë të drejtosh një ekip i tillë”.
Cungu (Laçi): “Vllaznia na ka vendosur në vështirësi kur ishim duke fituar 2-1 dhe nëse barazohej, atëherë do të ishte e rëndë për ne nga ana psikologjike. Pastaj kur ka mbërritur në 4-2, mendoj se është mbyllur gjithçka. Le të mos e harrojmë se kishim 4 lojtarë të rëndësishëm që mungonin në ndeshjen e sotme. Në pjesën e dytë kishim një vetkënaqësi të madhe, që unë nuk ia kërkova lojtarëve që ta kishin”.
Shehi (Kukësi): “E kisha thënë që Partizani do të ishte pengesa më e madhe e jona për të arritur te objektivi. Mendoj se i kemi vendosur gishtin kokës pas asaj që ndodhi ndaj Luftëtarit dhe prandaj i kemi finalizuar më mirë rastet. Edhe golin e vetëm që pësuam, e kemi marrë se 0-3 u quajt si e mbyllur për ne. Sistemi 4-3-3 mendoj se na përshtatet më mirë si ekip, por normalisht që varet edhe nga kundërshtari”.