Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar dy ndeshjet e para të kampionatit të Superiores, sa i përket javës së tetë. Tirana ka marrë një fitore të pastër në shifrat 3-0 kundër Apolonisë, me Ernest Muçin që ishte ylli i ndeshjes pasi dhuroi dy pasime dhe realizoi një gol. Në krahun tjetër ishte Bylisi që u rikthye te fitorja pasi ia doli në shifrat 2-1 ndaj Kastriotit. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Coclli (Apolonia): “Humbja sjell gjithmonë dëshpërim, por mënyra sesi vjen më bën shumë pesimist. Dikush del nga detyrat, e pasi bën gabime atëherë golat vijnë radhë. Ne gabojmë në momentet më vendimtare. Megjithatë kualiteti është ai që bën diferencën në këto ndeshje. Te goli i Bathës ishte faji ynë që nuk bëri dikush ndërhyrje te Muçi, nuk doli dikush që të shkonte te ai”.
Ndreu (Kastrioti): “Është hera e tretë që pësojmë gol në fillim dhe nuk e di se kush është gabimi. Ndoshta lojtarët tanë e dinë se është tenis këtu dhe do të dalin 8-2. Por ata harrojnë se po pësove dy gola, atëherë është e vështirë që të reagosh dhe të përmbysësh lojën. Ndoshta ndikon edhe lodhja. Megjithatë ne kishim raste në pjesën e dytë për të barazuar. Nuk i kemi kapacitetet për të përballuar nga tre ndeshje në javë, por jam optimist për të ardhmen.”
Dede (Tirana): “Nëse do të shënonim më shpejt, do të ishim më të qetë. Megjithatë me rendimentin që kemi treguar dhe nëse nuk arrijmë të fitojmë, prapë tregon se po rritemi. Sasraku, Danso dhe Torrasa janë të rëndësishëm për Tiranën, ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë. Duhet që t’i ndihmojmë për të marrë maksimumin. Në momentin që ne fitojmë mendojmë se jemi në rrugën e mbarë. Merkato? Nuk ka ekip në botë dhe në Europë që nuk do të përforcohet me lojtarë të nivelit të lartë. Gjithsesi ne jemi të kënaqur edhe me organikën që kemi. Në mesin e fazës së dytë mund të kontrollohen ekipet. Objektivat nuk i vendos unë, emri i këtij ekipi ka objektivin për titullin kampion. Se sa do e arrijmë, do ta tregojë fusha. Kale do të jetë i gatshëm në fundin e janarit, ndërsa Celhaka ka problematikë më të madhe dhe vazhdon të ndiejë shqetësime. Do të vendoset tani nëse do të operohet apo mund të rikuperohet”.