Kukësi ka arritur të fitojë me rezultatin 4-1 ndaj Flamurtarit, ndërsa nga ana tjetër Vllaznia nuk ka marrë më shumë sesa një barazim në shifrat 2-2 ndaj Bylisit. Madje edhe kjo pikë ishte shumë për shkodranët për vetë mënyrën sesi erdhi loja, teksa ballshiotët mund të merrnin fitore nëse do të tregoheshin më të kujdesshëm. Më poshtë mund të ndiqni edhe deklaratat e protagonistëve për “Supersport”:
Orges Shehi(Kukësi): “Patjetër që jam i kënaqur me ekipin. Jemi treguar altruist dhe kemi shërbyer për Shkurtajn, që është padyshim goleadori ynë. Sigurisht që ka edhe diçka për të fshirë, atë fillim të pjesës së dytë ku dukej sikur të ishim ende në dhomat e zhveshjes. Sigurisht që unë do të bëj tifoz për Teutën tani, kjo është e sigurt. Sa i përket Shkurtajt, jam i bindur që do të kapë kuotën e 26 golave. Të tregonim mëshirë ndaj Flamurtarit? Futbolli është i pamëshirshëm, ajo që unë mund të kërkojë nga lojtarët është të bëjnë stacione, pra mos të harxhojnë shumë energji”.
Dovedan (Bylis): “Kemi ngrënë dy gola shumë lehtë. Këto lloj golash nuk i hanë as fëmijët e vegjël. Problemet kanë nisur nga qendra. Si gjykuan arbitrat? Nuk mund të merrem me këtë pjesë tani, ka kaluar”.
Dedja (Vllaznia): “Isha i përgatitur për këtë mungesë të madhe të përgatitjes së lojtarëve. Doja të flisja edhe për arbitrin, pasi te penalltia e parë e Bylisit, nuk ishte. Kam folur edhe me Zogajn dhe më tha se e kapi topin me kokë dhe jo me dorë. Gjithsesi nuk dua të merrem shumë me arbitrat, se kemi disa probleme të tonat në skuadër. Ne jemi shumë kavalierë kur kundërshtari hynë në zonën tonë. Sillemi në një mënyrë që nuk e kam parë kurrë më parë, shumë të lirshëm. Por nuk kemi se çfarë të bëjmë tani dhe duhet të përmirësohemi. Si erdhi ndeshja unë jam kënaqur dhe me barazimin”.