Intervistat/ “Nuk është nevoja të diskutohen”, Hallaçi komenton moviolën: Penallti e qartë, edhe me Partizanin na e mohuan

Java e 12 ka përfunduar dhe Vllaznia vijon të mbetet surpriza më e bukur e këtij kampionati, duke e mbyllur vitin në krye të tabelës. Ndeshja mes Kukësit dhe Teutës ishte e fundit për 2020-n, e cila përfundoi me shifrat 0-3. Një tjetër “shuplakë“ kjo për verilindorët, që këtë sezon nuk e kanë nisur ashtu siç do të dëshironin. Pas përfundimit të takimit, protagonistët kanë thënë fjalët e tyre për mikrofonin e “Supersport“.

Rrahman Hallaçi: “Më vjen keq! Që pas një humbjeje që nuk e meritonim ndaj Partizanit, folëm me skuadrën, e cila nuk ishte ajo e vërteta. Por i folëm gjërat hapur. E morëm si e morëm atë humbje, në fund e pranuam. Por sot është e patolerueshme dhe e pafalshme që të marrim këtë humbje me kaq gola. Por situata është e vështirë për momentin. I thashë lojtarëve sapo shkova në dhomën e zhveshjes që duhet ta pranojmë situatën sepse jemi profesionistë. Por është e pafalshme që për një ekip si Kukësi që investon kaq shumë të marrë dy humbje të njëpasnjëshme me gola.

Është e qartë për penallti. Por unë nuk jam këtu për t’u justifikuar, kam tjetër detyrë. Por arbitri merr vendimet, ai ashtu e ka parë. Nuk është nevoja t’i diskutojmë këto raste, i pashë përpara se të vija këtu. Më vjen keq, sepse pikërisht për ndërhyrjen nga mbrapa është e thjeshtë për arbitrin. Edhe ndeshjen me Partizanin ishte minuta e 44 kur mund të jepej penallti“.

Edi Martini: “Ishte ndeshje shumë e sikletshme. Donim të fitonim dhe nuk donim të prishnim atë ecuri që kishim deri më sot, që asnjë ekip nuk ka arritur të na mundi. Pengu i këtij viti është që duhet të kishim pasur shumë pikë më tepër. Kukësi ka lojtarë shumë të mirë. Kur janë në zotërim të topit bëhen shumë të vështirë për t’u markuar. Kur ke Kukësin përballë gjithmonë është e vështirë. Sot edhe fati ishte me ne. Unë qahem për arbitrimin. Kemi shumë pikë të humbura, gati 10 pikë. Nëse do i kisha pasur sot do isha në vend të parë. Megjithatë jemi në vendin e dytë dhe shumë pranë kreut“./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *