Intervistat/ “Nuk e njihja Cepelen”, Vedat Muriqi flet pas ndeshjes: Ishte penallti, doja edhe një tjetër

Shqipëria ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 kundër Kosovës. Asisti i Uzunit për Balajn dhe realizimi nga vetë sulmuesi i Ferencvarosh do të mjaftonin për kuqezinjtë. Ndërkohë nga dardanët erdhi goli i vetëm në saj të penalltisë së fituar nga Muriqi.

Pas kontaktit të dyshimtë në zonë të Cepeles, me 17-vjeçarin që zhvilloi një ndeshje perfekte. Madje edhe në momentin e penalltisë kërkoi sqarimin me Muriqin për të mohuar 11-metërshin te arbitri pasi pretendoi se nuk e kishte prekur aspak. Kështu është mbyllur kjo vëllazërore e cila ka pasur respektin e madh mes futbollistëve edhe në fushën e lojës. Më poshtë mund të ndiqni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Vedat Muriqi: “Më kishte munguar fanella e Kosovës, për t’u përmirësuar nga ana psikologjike. Pas pak kohësh do të kthehet edhe Vedati që jeni mësuar më parë të shihni. Në rezultatet tona negative radhazi kanë ndikuar edhe tifozët. Sa i përket Shqipërisë, Cepele ka bërë një ndeshje të mirë, nuk e njihja si lojtar. Së bashku edhe me mbrojtësit e tjerë të Shqipërisë që luajtën mirë. Penalltia ishte pasi unë e mora një goditje, ndoshta ishte pak e lehtë, por e kërkova. Doja edhe një tjetër penallti në fund, është emocioni i lojës. Kjo ishte vëllazërore dhe nuk ka rëndësi rezultati, megjithëse kur fiton je i mirë dhe kur humb je i keq”.

Sahiti (Trajneri i Kosovës për sot): “Sigurisht që është një rezultat negativ kjo humbje. E kemi nisur keq dhe me meritë e pësuam golin e parë. Pastaj e kemi pasur një tjetër ritëm, por sërish nuk ishim mjaftueshëm atje ku duhet. Sigurisht që nuk ishte si kusht fitorja me patjetër ndaj Shqipërisë, dëshironim që të provonim disa lojtarë të rinjë që kanë pasur më pak minuta në klubet e tyre. Nuk kishte hapësira Muriqi? Nuk duhet të harrojmë që po luanim me Shqipërinë, kanë një mbrojtje shumë të mirë dhe janë Kombëtare me shumë cilësi”.

Bekim Balaj: “Më kishte munguar Kombëtarja dhe goli. Barazova rekordin e Aliajt me 8 gola? Të them të drejtën Aliaj ishte mbrojtës dhe kjo do të thotë që nuk kam realizuar mjaftueshëm. Tani duhet të perfeksionojmë skemën e trajnerit Reja, për t’i marrë më të mirën. Edhe te klubi unë ndihem mirë dhe pres që trajneri të më thërras në detyrë për të dhënë kontributin tim. Sa i përket Kombëtares të gjithë e dinë se vetëm dy fitore na duhen në këto takime të Ligës së Kombeve”.

Cepele: “Nuk e mendoja kurrë këtë debutim, më dha një emocion të jashtëzakonshëm. E kuptoj edhe trajnerin në gjuhën italiane, u përshtata mjaft mirë. Si thuhet edhe në Itali “kohë pas kohe”, do të shihni edhe më tepër. Unë punoj në stërvitje dhe Reja e ka në dorë për të më aktivizuar sërish”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *