Në mbrëmjen e sotme është vendosur edhe Superiorja teksa Tirana ka fituar matematikisht kampionatin pas fitores në shifrat 1-0 të Vllaznisë ndaj Kukësit. Triumf ky që i jep shkodranëve mundësinë për të shpresuar që të mos bien nga “Play-Out”, ndërsa nga ana tjetër hap shampanjën te bardheblutë. Nga ana tjetër Teuta dhe Partizani janë ndarë në barazim pa gola. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Shehi (Kukësi): “Na ka penalizuar shumë Kupa, ai lloj eliminimi ku e dominuam kundërshtarin dhe vendosën episodet. Ana psikologjike nuk ka qenë e duhura. Nuk ka fare rëndësi se çfarë do të ndodh me Shehin, unë kam dhënë 100%. Për të funksionuar një marrëdhënie duhet të ketë një pëlqim dy palësh. Do të bisedoj me presidentin dhe kisha kënaqësi që drejtova Kukësin. Tirana ka pasur pak fatin me vete pasi ka fituar shumë ndeshje në minutat e fundit, ndryshe nga Kukësi. Mendoj se është vetëm çështje fati pasi kemi qenë më lart se Tirana në fushë”.
Martini (Teuta): “Sigurisht që lodhja bën punën e vetë pasi kemi qenë të impenjuar në Kupë, ndryshe nga Partizani që ishte më i freskët. Mund ta kishim fituar ndeshjen, kishim rastet tona dhe përse ishim me ekipin e të rinjëve në fushë. Sa i përket merkatos duhet të presim ende pasi fillimisht duhet që të sigurojmë Europën me një fitore. Jam djegur me Flamurtarin dhe Luftëtarin, futbollit nuk i zë besë dhe prandaj duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Tirana? Fati ka qenë me ta dhe unë jam i kënaqur që ishim ekipi i parë që rrahëm kampionët”.
Dedja (Vllaznia): “Sot nuk luajta për interesat e Tiranës, por të klubit tim. Por sigurisht që kjo skuadër duhet të luajë ndershëm ndaj Bylisit. Nuk e imagjinoj dot që kampionia e Shqipërisë dhe që ka fituar në Kupë të dështojë. Nuk e imagjoj dot, duhet që të luajnë ndershëm. Djemtë e Vllaznisë nuk kanë pyetur kurrë për sponsor, por më thonë gjithmonë që si mund të nxjerrin maksimumin nga vetja. Kalendarin e ka Vllaznia më të fortë se Bylisi. I kam thënë sot para ndeshjes me Kukësin lojtarëve që objektivat tona janë më të mëdha se të atyre”.