Dy ekipet e kryeqytetit kanë bërë detyrën gjatë ditës së sotme. Partizani arriti që të fitonte ndaj Bylisit në shifrat 1-2 falë golave të Cinarit dhe Carës. Nga krahu tjetër ishte Tirana që nuk gaboi me Skënderbeun duke iu falur golave të Seferit dhe Hoxhallarit, duke e mbyllur takimin 2-0 në 18 minutat e para. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Shehi (Tirana): “Ne vinim pas një fitore që na duhej shumë në Fier. Ekipet që duken të lehtë janë më të vështira. Shënuam shpejt dhe pastaj menaxhuam rezultatin. Më pëlqen grinta dhe dëshira e lojtarëve për t’u kthyer aty ku e kanë lënë, pasi jemi kampionët në fuqi. Kjo të ngroh për vazhdimësinë. Ne nuk duhet të mendojmë për Vllazninë që është 11 pikë larg, por ekipin që ndodhet më afër. Ne nuk jemi munduar që vetëm të mbrohemi, për të mos pësuar gol”.
Daja (Partizani): “E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë pasi nuk e njihnim kundërshtarin me potencialin e plotë. Sot mund ta kishim nisur me disavantazh, por para se të shkojmë te penalltia, kishim rastet tona për të kaluar në avantazh. Gabimet tona ishin vetëm për shkakun e shpërqendrimit. Murataj është një lojtar që luan në tre pozicionet e mesit të fushës dhe u paraqit mirë, ndërsa Bardhi ishte nën nivelin e pritur. Nëse do të ishte në nivelin e duhur, do të kishte më tepër shpejtësi në pjesën e aksionit sulmues. Ne jemi me këmbë në tokë dhe më të përshtatur që gjërat do të përmirësohen. Të gjithë presin që Partizani të shkojë larg, por mos të harrojmë se kemi bërë super kampionat deri tani dhe jemi forcë e dytë. Ishte penallti sipas mendimit tim te Broja, pastaj te rasti i Malës dhe i thashë Enea Jorgjit që të rrijë në një standart. Megjithatë është një prej arbitrave më të mirë në Shqipëri”.