Sfida mes Vllaznisë dhe Kukësit ka mbyllur javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Shkodranët nuk po arrijnë të përmenden në aspektin e rezultateve, teksa kanë humbur reflekset e golit. Ndeshja ka përfunduar me shifrat 0-0, ku kuqeblutë shpërdoruar një shans të artë në minutën e 70-të, teksa Imeri nuk mundi të shënonte as nga penalltia. Pas përfundimit të 90 minutave, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport”.
Mirel Josa (Kukës): “Nuk mund të merrem me faza të veçanta të lojës. Vllaznia i pati rastet e veta dhe i pati në 20 minutat e fundit. Mua më bën përshtypje skuadra ime. Ka luajtur ashti siç i kam kërkuar unë. Në përgjithësi jam i kënaqur. Edhe ne kishim rastet tona për të shënuar. Por kështu është futbolli. Nuk është problem se kanë shënuar vetëm Eze dhe Ibrahimi. Ata janë sulmues dhe për këtë punë janë. Penalltia erdhi nga një pakujdesi e jona. Ishte apo nuk ishte nuk dua t’i hyj në punë kësaj teme. Planet afatgjata nuk mund ti bëj, sepse më intereson qetësia e skuadrës”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/