Për herë të parë këtë sezon, Teuta ngre flamurin e bardhë në Shkodër dhe humb ndeshjen me shifrat 1-0. Kjo Vllazni është e vështirë të zbresë nga kreu dhe këtë e dëshmoi edhe njëherë tjetër fusha e lojës. Ndeshja u dominua nga kuqeblutë dhe fatin përfundimtar e vendosi ai gol i Ardit Hoxhajt. Në Shkodër festa vazhdon, teksa tashmë udhëheq kampionatin me 9 pikë më tepër nga Teuta. Në përfundim të këtij takimi kanë komentuar 90 minutat për “Supersport” vetë protagonistët.
Hoxhaj (Vllaznia): “Gjëja e parë që dua të them është se falenderoj çunat e ekipit që për rreth 25 minuta kanë vrapuar me një lojtar më pa katy në fushë dhe kanë mbrojtur rezultatin 1-0. Jemi në një moment të mirë si ekip. Edhe personalisht jam në një moment të mirë. Asgjë nuk është rastësi, thjesht kemi punuar shumë për të arritur deri këtu.
Kartoni i kuq? Po ta shikosh, vërtetë ka intensitet, por në momentin e fundit e kam tërhequr këmbën mbrapa. Arbitri më ka thënë që ke bërë gjest antisportiv. Unë nuk kam bërë gjest antisportiv aty. Kam vite që luaj në Superligë dhe nuk mbahem për lojtar që bëj gjeste antisportive”.
Martini (Teuta): “Ishte një ditë e keqe për ne. Vllaznia e meritoi fitoren. Humbja një ditë do të vinte. Ajo që më shqetëson është se ishte ndeshja më e keqe për ne që nga fillimi i kampionatit. Janë shumë pikë në lojë dhe kampionati është i gjatë. Ne do jemi aty për t’i arritur pikët. E njihnim Vllazninë në çdo detaj. Por përjashto 14 minutat e para kur patëm disa raste, në pjesën tjetër e meritonim rezultatin. Ndoshta duhet të ishim treguar më kavalierë, të pasonim më shumë. Kemi bërë gabime elementare në pasime”.
Brdariç (Vllaznia): “Jam tërësisht krenar për ekipin tim. Kemi punuar shumë për të luftuar për këtë pozicion. Kemi shënuar vetëm një gol, por ishte një ndeshje totalisht e merituar. Nuk dua të flas për objektivat e kampionatit dhe çfarë do të ndodhi në fund. Është një sezon i gjatë. Jemi në vendin e parë dhe të jemi me këmbë në tokë. Të kënaqemi me këtë rezultat.
Kartoni i kuq për Hoxhajn? Ishte shumë e pafat për Hoxhajn, sepse nuk donte ta dëmtonte. Nëse shikojmë pamjet duhej të dënohej, megjithëse duhej të mbroja lojtarin tim në atë moment.
Mbajtja e çadrës? E urrej shiun. Nuk dua të sëmurem në javët në vazhdim. Këtu në Shkodër është e pabesueshme, bie shi pafund. Duket qesharake, por nuk ka mundësi tjetër. ”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/