Intervistat/ “I ndihmuam të fitonin”, Brdariç komenton moviolën: Ishte i kuq, Kruja mund të thyente këmbën

Kambanat kishin nisur të binin për Vllazninë që pas dy barazimeve të marra së fundmi, ndërsa sot të vinte momenti kur kuqeblutë do të ngrinin flamurin e bardhë. Shkodranët ishin duke fluturuar këtë sezon, por Shpëtim Duro i zbret sërish me këmbë në tokë. Vllaznia dhe Laçi kanë dhuruar një sfidë të çmendur ditën e sotme, ku në fund 3 pikët i ka bërë të vetat skuadra kurbinase.  Në përfundim të takimit kanë dhënë intervistat e tyre për “Gol pas Goli” në “Supersport” vetë protagonistët e ndeshjes.

Brdariç (Vllaznia): “Urime Laçit. Donin fitoren dhe ia arritën. E dinim që do të ishte e vështirë ndaj Laçit, sepse kanë lojtarë me eksperiencë të madhe. I ndihmuam të fitonin. Do mësojmë nga kjo ndeshje, si kemi bërë në të shkuarën. Sot jemi të zhgënjyer. Në të shkuarën kemi pasur ndeshje të mira dhe ishim pak të llastuar nga rezultatet.

Ndërhyrja ndaj Krujës? Kur e shikon në fillim duket shumë e ashpër. Ishte për karton të kuq. Nëse Kruja nuk do të kishte ngritur këmbët mund edhe t’i kishte thyer”.

Duro (Laçi): “Normalisht, jo vetëm ne, por tani mund të them që është rihapur kampionati. Nuk është vetëm Laçi, është edhe Partizani, Teuta, Kukësi. Tani Vllaznia do e ndjejë presionin. Sot isha I bindur, e kam thënë që para ndeshjes se do ta zgjidhte Nuabueze ndeshjen. Kisha besim se do të shënonte. Freskia e Harmon krijoi çrregullim për kundërshtarin. Isha i bindur që do të shënoninm sërish, por dalja e Obanorit na bëri që të mbronim.

Për mua pika kryesore ka qenë mbulimi i Imerit. Mbulimi ishte shumë i mirë nga Veliu.Sherri ishte i mërzitur. Erdhi dhe më tha: “Profesor më fal”. S’ka gjë i thashë se janë gjëra që ndodhin. Ndoshta ka pasur presionin që luante në Shkodër. Presidenti i Laçit është maniak. Rri 24 orë pas skuadrës, është shumë i dhënë ndaj ekipit, në ndryshim nga të gjithë presidentët e tjerë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *