Kanë përfunduar dy takimet e sotme të vlefshme për javën e 14 të Kategorisë Superiore. Vllaznia ka përmbushur hakmarrjen ndaj Kukësit, teksa ka fituar me rezultatin minimal 0-1 në “Elbasan Arena”. Ndërkohë në Durrës Teuta gjen më në fund fitoren dhe mposht Bylisin me shifrat 2-0. Një rezultat mjaft i rëndësishëm ky për djemtë e Martinit, që prej shumë javësh vuanin ngërçin e triumfit në fushën e tyre. Në përfundim të 90 minutave, vetë protagonistët e takimeve kanë thënë fjalët e tyre për mikrofonin e “Supersport”.
Hallaçi (Kukësi): “Është situatë jashtëzakonisht e tmerrshme. I thashë ekipit vetëm të mos rrihemi nga Vllaznia. I thashë që nuk duhet të humbnim. Vllaznia ishte më lart se ne. Shkuam deri te porta, por duhet të shënosh, sepse ikin minutat. Është situatë jashtëzakonisht e vështirë. Fjala titull kampion nuk duhet të përmendet më. Nuk ka më lidhje titulli kampion tani. Pyetja është si të dalim nga kjo gjendje? Të mos marrim asnjë pikë është për tu kritikuar nga i pari te i fundit. Duhet të mblidhemi me drejtuesit të vendosim. Vjen një moment kur analizat nuk vlejnë fare”.
Brdariç (Vllaznia): “Urime skuadrës. E dimë tani që ndeshjet do të jenë gjithnjë e më të vështira, sepse çdo skuadër të kundërvihet. Dua që skuadra ime të jetë e përulur. Në momentet e qarta të lojës të dimë të vuajmë. Rezultati 1-0 është i rrezikshëm, por në fund morëm fitoren. Kukësi është një ekip shumë i mirë, kanë lojtarë shumë të mirë. Rezultatet nuk i kanë pasur shumë pozitive dhe besimi te ta nuk ka qenë aq i lartë sa më parë. Kukësi është gjithnjë i aftë të shënojë. Nuk mund të parashikosh gjithçka ndaj tyre. Luajtëm sot javën e 14. Janë edhe 22 ndeshje për tu luajtur. Është herët të flasim për objektiva. Le ti lëmë tifozët të ëndërrojnë, le ti lëmë të flasin për lojën e bukur. Kemi këtë mënyrë loje të të luajturit që na pëlqen dhe po na jep rezultate”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/