Është mbyllur faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë. Pas Laçit dhe Skënderbeut janë njohur edhe dy skuadrat e tjera që vazhdojnë më tej në këtë kompeticion. Teuta dhe Vllaznia kanë arritur të presin biletën për në gjysmëfinale, teksa të dyjave u ka mjaftuar një rezultat minimal 1-0 për të siguruar kualifikimin. Në përfundim të 90 minutave, protagonistët e takimit kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”.
Tomas Brdariç (Vllaznia): “Nuk kisha dyshime për formacionin. Po punojmë në mënyrë shumë profesionale me ekipin. Duam ti japim një impuls skuadrës. Ata që janë në stol duhet të presin shansin e tyre. Faleminderit për këshillat, por kam një staf teknik dhe një drejtor sportiv. Mund të flasësh gjithmonë për disa taktika, por ne po luajmë futbollin që unë dëshiroj. Duhet të jesh shumë krijues në lojën tënde, por gjithashtu duhet të kesh më shumë besim. Kjo na ka munguar javët e fundit. Ka ndeshje kur nuk është e thjeshtë të fitosh. Jemi munduar të qendrojmë gjithmonë me këmbë në tokë“.
Edi Martini (Teuta): “Mendoj që sa më të rëndësishme të jenë ndeshjet, aq më grintë, aq më karakter ka ekipi. Nuk dua ti kthehem asaj ndeshje me Kastriotin. Por në ndeshje vendimtare ata e kallëzojnë se kanë grintë dhe kanë kualitet. Dua ti përgëzoj çunat. Ne kemi pësuar gola që s‘duhet ti kishim pësuar. Është edhe çështje fati ndonjëherë, se topi nuk shkon gjithmonë aty ku do ti. Ishte një ndeshje edhe nga ana morale shumë e rëndësishme”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/