Intervistat/ “Enea Jorgjit nuk i ecën me Durrësin”, Martini flet për arbitrin: Nuk ishte e qëllimshme

0

Nevil Dede mbetet ende në pritje të fitores së parë nën drejtimin e Tiranës. Tekniku i bardhebluve nuk ka arritur që të marrë tre pikët e para me ekipin kampion as në përballjen kundër Kastriotit. Fillimisht ishte Ernest Muçi që krijoi iluzionin e suksesit duke kaluar në avantazh miqtë pa nisur mirë takimi. Megjithatë Kastrioti po tregon se është “kockë e fortë” në këtë kampionat duke barazuar me Silvën në minutën e 35. Pavarësisht tentativa të Tiranës për të marrë fitoren në këtë transfertë nuk ia arritën dot qëllimit. Në fund është krijuar edhe një situatë absurde atje ku vendasit kanë kërkuar një penallti dhe kanë protestuar te arbitri. Megjithatë përsëritjet e pamjeve treguan se kryesori veproi drejt pasi topi kishte prekur në kokën e Najdovskit dhe jo në dorën e tij.

Nga krahu tjetër është Laçi që ka dhuruar spektakël kundër Apolonisë duke fituar në shifrat 6-1. Goli i parë i ardhur nga ana e Omerit te Apolonia vetëm sa ka nxehur Nuabuezen dhe kurbinasit. Sulmuesi i Laçit arriti që të shënonte tre gola, ndërsa më pas listën e plotësuan dopieta nga Xhixha dhe Marku. Sa i përket përballjes mes Bylisit dhe Teutës është ndarë në rrjeta të paprekura. Më poshtë gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:

Nevil Dede (Tirana): “Kjo ishte një provë force për Tiranën. Në pjesën e parë ishim shumë më mirë dhe duhej që ta “vrisnim” ndeshjen. Nuk po them se na u mohua fitorja, por nëse mund të ishim pak më konkret, do të kishim fituar. Duhej që ta menaxhonim më mirë përballjen. Derbi me Partizanin? Tirana është gati, kthehet Toshevski, Batha është gati nga ndeshja në ndeshje. Torasa ka dhënë një sinjal shumë të fortë, ka shpirt luftëtari. Ne jemi shumë entuziasit për derbin, është shumë e thjeshtë për mua që të motivojë lojtarët për Partizanin. Jeton i gjithë qyteti për këtë ndeshje dhe ne jemi gati”.

Martini (Teuta): “Ne barazojmë me Korçën dhe nuk na jepet penallti. Sot është e njëjta gjë. Murataj duhej që të dilte me karton të kuq që në minutën e 15, për të dytën të verdhë pasi vjen me ndërhyrje nga mbrapa dhe nuk ndëshkohet. Unë jam i sigurt që është padashje dhe rastësi kjo, por ne po lëmë pikë dhe hajde që t’i marrësh këto pikë. Këto gabime ne na kushtojnë shumë dhe jemi ekipi që pretendojmë të fitojmë kampionatin. Enea Jorgjit nuk i ecën me Durrësin, gaboi prapë sot. I thashë në përfundimin e ndeshjes që përse nuk e dha njëherë te Ballshi kartonin e dytë të verdhë, por vetëm te ne”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.