Intervistat/ “Eliminimi është goditje e madhe”, Josa thirrje lojtarëve: Të marrin më tepër përgjegjësi

Është mbyllur faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë. Pas Laçit dhe Skënderbeut janë njohur edhe dy skuadrat e tjera që vazhdojnë më tej në këtë kompeticion. Teuta dhe Vllaznia kanë arritur të presin biletën për në gjysmëfinale, teksa të dyjave u ka mjaftuar një rezultat minimal 1-0 për të siguruar kualifikimin. Në përfundim të 90 minutave, protagonistët e takimit kanë dhënë intervistat e tyre për emisionin “Gol pas goli” në “Supersport”.

Mirel Josa (Kukësi): “Nuk i vë faj vetëm Ibrahimit dhe Ezesë. Normale që ata duhet të jenë më penetrues në zonë, por duhet të luajnë edhe futbollistët e tjerë. Finalizimin nuk e presim vetëm nga Ibrahimi dhe Eze. Eze doli në pozicione finalizimi disa herë. Ne duhet të shkojmë me të dy krahët tonë, qoftë me Leirën, qoftë me Gashin duhet të kishim një prezencë më të madhe në zonën e rreptësisë së Teutës. Ky është një problem që nuk është shfaqur tani, pasi ka ndodhur edhe më parë. Vetë Eze duhet të ishte më deçiziv. Me topat e gjatë bëmë disa veprime dëshpëruese. Nuk i druhem fraksionit negativ të skuadrës. Skuadra është ndërtuar që në fillim në këtë formë. Lojtarët duhet të marrin përgjegjësi më tepër. Personaliteti i lojtarëve nuk është diçka që ndërtohet rrugës. Normale që eliminimi nga Kupa është një goditje e madhe për ne“.

Tomas Brdariç (Vllaznia): “Nuk kisha dyshime për formacionin. Po punojmë në mënyrë shumë profesionale me ekipin. Duam ti japim një impuls skuadrës. Ata që janë në stol duhet të presin shansin e tyre. Faleminderit për këshillat, por kam një staf teknik dhe një drejtor sportiv. Mund të flasësh gjithmonë për disa taktika, por ne po luajmë futbollin që unë dëshiroj. Duhet të jesh shumë krijues në lojën tënde, por gjithashtu duhet të kesh më shumë besim. Kjo na ka munguar javët e fundit. Ka ndeshje kur nuk është e thjeshtë të fitosh. Jemi munduar të qendrojmë gjithmonë me këmbë në tokë“.

Edi Martini (Teuta): “Mendoj që sa më të rëndësishme të jenë ndeshjet, aq më grintë, aq më karakter ka ekipi. Nuk dua ti kthehem asaj ndeshje me Kastriotin. Por në ndeshje vendimtare ata e kallëzojnë se kanë grintë dhe kanë kualitet. Dua ti përgëzoj çunat. Ne kemi pësuar gola që s‘duhet ti kishim pësuar. Është edhe çështje fati ndonjëherë, se topi nuk shkon gjithmonë aty ku do ti. Ishte një ndeshje edhe nga ana morale shumë e rëndësishme”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *