Në barazim 0-0 ka përfunduar supersfida e sotme e javës së 17 të Kategorisë Superiore. Në duelin mes Partizanit dhe Vllaznisë pritej një ndeshje e luftuar dhe plot emocione, duke ditur se përballë janë dy ekipet e kreut të tabelës. Grinta dhe rastet nuk munguan, por në fund goli nuk erdhi për asnjë nga të dy ekipet. Në përfundim të 90 minutave të lojës, vetë protagonistët kanë thënë fjalët e tyre për mikrofonin e “Supersport”.
Tomas Brdariç (Vllaznia): “Jemi në gjysmë të rrugës. Jemi përkushtuar shumë për të ardhur deri këtu. Madje e kemi merituar edhe fatin në disa ndeshje. Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhi në 2 apo 3 muaj. Ishte shumë e vështirë të luaje në këtë fushë.
Dilaver nuk shënon prej një faze? Ne luajmë të gjithë. Ka rëndësi skuadra dhe jo individi. Nuk ka rëndësi kush shënon. Për të do të ishte mirë nëse do të shënonte shpejt që të rrisë besimin. Të dy e vuajtëm kartonin e kuq. Skuadrat nuk ishin të kënaqura të luanin me 10 lojtarë. Partizani është mësuar të luajë me 10 lojtarë, e bëri edhe ndaj Tiranës. Ne duhet të mësojmë.”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/