Laçi arriti të fitonte me rezultatin 2-1 ndaj Flamurtarit, duke vuajtur jo pak ndaj vlonjatëve. Këta të fundit luajtën që nga minuta e 20 me një lojtar më pak pas një kartoni të kuq të De Oliveria, por nuk ia ka bërë të lehtë kurbinasve fitoren, duke ngritur tensionin te Cungu. Nga ana tjetër ishte Vllaznia që fitoi në transfertë 0-1 ndaj Luftëtarit. Më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e protagonistëve për “Supersport”:
Cungu (Laçi): “Kush e sheh futbollin dhe e njeh atë, e kupton se këto ndeshje tani në fundin e këtij sezoni dhe ndaj këtyre kundërshtarëve, është e vështirë. Kemi shpërdoruar shumë raste sidomos në pjesën e dytë. Frikë për barazim? Sigurisht që kam pasur si erdhi ndeshja, kam pasur tension edhe unë, nuk mund ta mohoj. Dua të përgëzoj edhe Flamurtarin që pas 700 javësh e gjeti që të luante futboll në Laç. Uroj që të vazhdoj kështu deri në fund, te java e 704”.
Dedja (Vllaznia): “Kam parë një ndryshim dhe përgjigje nga skuadra në tre komponent kryesorë: “Lufta me kundërshtarin dhe përplasja për topin, vrapimi në fushën e lojës dhe qarkullimi i topit”. Kishim shumë përmirësime në këto aspekte dhe më është rikthyer shpresa. Kam dy javë që i vë në dukje peshën e fanellës lojtarëve dhe e kam marrë përgjigjen e duhur. Edhe lojtarët me eksperiencë e kanë ndierë shumë përgjegjësinë sot, pasi qyteti vuan kur e sheh Vllazninë në këto pozita. Tani ideja është si t’i ikim kësaj zone, pasi te Vllaznia nuk ka asnjë problem. Kur erdha unë pagat ishin marrë dhe nuk ka asgjë të mbetur më”.