Intervista/ “Nuk do të kopjojmë modele të huaja”! Ja kush është ekipi i ri në Shqipëri që po korr fryte të menjëhershme, Matraxhiu shpalos projektin

Një ekip i ri është shfaqur për të konkurruar fillimisht në nivelet e ulëta të futbollit të Shqipërisë, por rezultatet e para pozitive janë shpresë e madhe për të ardhmen e ndritur. Fundja EFA, e njohur ndryshe si “Eagle Football Academy”, vetëm sapo e ka nisur rrugëtimin e saj dhe që padyshim do të jetë i gjatë.

Në javën e parë të kampionatit në Kategorinë e Tretë do të fitohej ndaj Delvinës, këtë herë është triumfuar me shifrat 3-0 ndaj Spartakut. 2 ndeshje dhe 6 pikë, më mirë nuk mund të kishte. Trajneri i këtij ekipit është Blendi Gockaj, i lidhur me këtë punë edhe në aspektin emocional, duke qenë protagonist në ndërtimin dhe vendosjen e tullave të para që nuk do të harrohen kurrsesi përgjatë rrugëtimit.

“Sport Ekspres” ka zhvilluar një intervistë me njeriun që drejton punët e kësaj skuadre, Andi Matraxhiu. I njohur për tifozët dhe mediat sportive në Shqipëri, pasi prej vitesh ka qenë pjesë e futbollit tonë dhe tanimë vijon të mbetet në rolin e menaxherit. Por duke kërkuar që të ngrihet një shkollë e mirë futbolli dhe të ndërtojë një akademi me punë serioze sipas ideve të tij, është vendosur që fillimisht të jetë marka e parë që konkurron në Kategorinë e Tretë.

Krijimi i një ekipi të quajtur EFA. Si erdhi ideja për këtë projekt të ri dhe përse në këtë kohë lindi gjithçka?

Në fillim duhet të krijohet marka e akademisë me ekipin e parë dhe jo që të ndërtohet akademia duhet pasur fusha me qera dhe gjëra të tilla, duhet të zotërosh pronën. Së bashku me ortakun tim kemi marrë këtë nismë sepse është truall që e kemi tashmë tonin pasi e zotëron Edmond Cakmashi. E kemi në Prisk, rrugës për në Dajt dhe është 20.000 metra katrorë, kanë nisur punimet. Është bërë gjithçka sa i takon matjeve me topograf dhe është krijuar projekti, mbetet vetëm çështje procedurash. Ideja ishte që me anë të ekipit të parë të krijohej marka. Emri është marrë nga agjencia që unë e kam krijuar që në 2012. Mund të ketë edhe shumë të tjerë me emrin “Eagle”, por unë e zotëroj prej kohësh dhe e dinë të gjithë që e kam krijuar i pari. Për emrin e vendosur atëherë ka qenë ideja që kur kontaktojmë me klube dhe menaxherë të huaj dhe meqë njihemi si vendi i shqiponjës, është shumë e thjeshtë. Meritë të madhe ka trajneri Blendi Gockaj dhe të gjithë të tjerët për krijimin e këtij ekipi.

Gjithashtu po përgatitet krijimi i akademisë për të formuar talentet e reja dhe për t’i shpalosur aftësitë e tyre në ekipin e parë më pas. Cila është shkolla e futbollit që mund të merret si shembull?

Eksperiencën e menaxhimit të lojtarëve e kam dhe kam vizituar akademi edhe jashtë. Informacionet janë të gjithanshme dhe ajo që garantojmë është rregulli në çdo moment, sidomos me moshat e vogla që duhen disiplinë dhe menaxhim të mirë. Ne nuk do të kopjojmë një model diku tjetër, do të bëjmë sipas ideve tona.

Cila është pritshmëria nga ky projekt dhe cila pikë do të ishte maksimalja qysh në nisje, për të thënë…ia dolëm?

Në momentin që punimet të jenë në rrugën e duhur, do të themi që ia dolëm. Jemi ende në hapat e parë dhe po punojmë fort që t’ia arrijmë qëllimit. Premisat janë shumë të mira dhe shpresoj që të arrijmë diçka serioze në Shqipëri. Ka shumë akademi serioze në vendin tonë, por edhe të tjera që abuzojnë.

Si e shikon ecurinë e futbollit shqiptar ndër vite pasi je pjesë e tij prej kohësh, ka hapa përpara?

Normalisht që kemi progres. Nëse e krahasojmë me Ballkanin, duke qenë në rolin e menaxherit unë udhëtoj në Maqedoni, Mali i Zi dhe vende të tjera, mund të them se kemi progres në krahasim me to. Gjithashtu edhe nga ana e infrastrukturës, FSHF ka bërë punë shumë të mirë me këto fusha që ka krijuar dhe gjithë stadiumet e reja. Duhet vetëm që të rrisim infrastrukturën e stërvitjes pasi shumë klube nuk e gëzojnë një kompleks të tyrin, por stërviten në ambiente të ndryshme.

A i përqafon futbolli i vendit tonë dhe vetë ambienti ynë ndërtimin e një projekti të ri?

Padyshim që po. Ne kemi shumë talente që duan punë serioze dhe është e rëndësishme për formimin që marrin që të vegjël. Kjo vjen vetëm nga akademia serioze dhe puna serioze. Për të përdorur një krahasim është si puna e lules, nëse ti nuk e mirëmban që në fillim, ajo do të ketë probleme më pas. Duhet korrektësi, kujdes dhe shumë pasion.

Si një menaxher dhe në drejtimin e një skuadre. Përse nuk i besojnë trajnerët e Superiores lojtarëve të dalë nga akademia. Kanë nivel të dobët apo kërkohet me patjetër karta e indetitetit?

Nuk ka një projekt biznesi, por projekt suksesi. Ekipet shohin që të kenë sukses vetëm në një sezon. Trajnerët duket e ditur situatën dhe mentalitetin, duan lojtarë të afirmuar për të marrë maksimumin. Kur trajneri e di se edhe drejtuesi nuk është i qetë që të presi dhe e di që i “pritet koka” kollaj, atëherë bazohet tek lojtarët me eksperiencë. Ky është problem i ndërthurur. Sigurisht që ka edhe nga trajnerë që preferojnë lojtarë të vjetër dhe nuk i japin hapësirë fare atyre të rinjve, por nuk është vetëm çështje mentaliteti. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *