Në Shkodër ka ende dyshime pas përfundimit të ndeshjes mes Vllaznisë dhe Skënderbeut: “Kush është gjermani I vërtetë, Bradriç apo Hoxhaj?”. Me siguri që ky i fundit, teksa lojtari i Vllaznisë ka arritur që të shënojë 4 gola kundër Skënderbeut.
Pa asnjë mëshirë të vetme duke e kthyer këtë fitore në tenistike për vendasit. Spektaklin e takimit e hapi Imeri në sekondën e 37 të takimit, duke paralajmëruar kundërshtarët për “makthin” që i priste. E gjithë skena iu la Hoxhajt, me Vllazninë që arriti të përfitonte në të gjitha gabimet e mbrojtjes së Skënderbeut, që deri diku ishin edhe “foshnjarake”.
Në krahun tjetër Kastrioti bëri surprizën teksa mundi Laçin në shifrat 1-0. Goli i Prodanit ka mjaftuar për t’i dhënë tre pikëshin krutanëve, në një takim që kishte shumë polemika. Arbitri do të jepte një penallti të dyshimtë për Laçin në minutën e 27 dhe pas shpërdorimit të Xhixhës, menjëherë lojtarët e Kastriotit shkuan për t’i treguar Koçit se ka një drejtësi më të mirë, ajo hyjnore. Xhixha do të shpërdoronte edhe në pjesën e dytë, për të lënë në fuqi heroin Prodani. Ndërkohë përballja mes Bylisit dhe Apolonisë ka përfunduar në 3-1 falë dopietës së Bejit, golit të Hadroj dhe autogolit të Ymeraliaj. Më poshtë gjeni intervistat e trajnerëve dhe protagonistëve të takimit për “Supersport”:
Ahmataj (Skënderbeu): “Kur pëson gol në sekondën e 37, nuk e përballon dot vazhdimin e ndeshjes. Ndikon në psikologji dhe për më tepër është e trishtë mënyra sesi e pëson golin. Të prishen të gjitha planet. Shpresa jonë është që mbaron shpejt kampionati, edhe një ndeshje ka, që të ndërhyjmë në merkato. Ne e dimë sesa rëndësi kanë pikët dhe duam që të dalim nga kjo zonë ku jemi. Kur pëson nga këto gola, nuk bëhet fjalë fare për taktikë dhe vendosje”.