Dy ndeshjet e Superiores janë mbyllur në orën 13:00 gjatë ditës së sotme. Tirana ka fituar me rezultatin 1-2 ndaj Laçit, ndërsa Bylisi nuk ka gabuar me Luftëtarin me shifrat 1-0. Ndërkohë takimi mes Flamurtarit dhe Teutës është shtyrë për ditën e nesërme. Ndërkohë më poshtë mund të gjeni edhe intervistat e trajnerëve për “Supersport”:
Egbo (Tirana): “Ne i kemi vlerësuar tre ndeshjet në maksimum. Kemi luajtur si ndaj Partizanit, që të ishim afër me njeri-tjetrin. Djemtë luftuan dhe dhanë maksimumin, pavarësisht se fusha nuk ishtenë gjendje të duhur. Kur t’i e bënë punën, Zoti të shikon. Futbolli nuk ka shumë shkenca, si duan të bëjnë disa njerëz të tjerë. Nëse ka presion nga lojtarët tanë dhe komunikimin e duhur në fushë, atëherë gjithçka shkon mirë. Muçi ka shumë punë për të bërë që të jetë sulmuesi kryesor i Tiranës, pasi ka mangësi në anën fizike. Tani do bisedojmë me presidentin e klubit dhe do të shohim sesi do të vazhdohet”.
Cungu (Laçi): “Zhgënjimi është i madh për rezultatin. Fatkeqësisht në dy raste që ne gabuam, në të dyja rastet pësuam. Për mua ishin gabime të pafalshme në ato dy gola që morëm, të rëndë për ne. Ishin 5 mbrojtësa të Laçit me vetëm Ernest Muçin e Tiranës. Kjo edhe për shkak të cilësive që kishte Tirana dhe e komplimentoj. Dita e sotme ishte e vështirë për djemtë e rinjë, pasi kërkohet vetëm forcë dhe luftë”