Mesfushori me tipare sulmuese, Niko Zisi, ka qenë një ndër surprizat e bukura të Kategorisë së Parë. 22-vjeçari erdhi si një emër i panjohur nga Greqia, nuk u mbajt nga Kukësi, pas një prove dhe më pas u largua. Fillimisht u “sistemua” te Elbasani, ku luajti në 10 ndeshje, më pas u largua nga elbasanasit.
Fieraku kaloi sezonin e kaluar te ekipi i Bylisit. Një kontratë afatgjatë me klubin dhe përformanca shumë të mira. Goli kundër Tiranës në “Selman Stërmasi” e lakoi menjëherë si një futbollist të mirë. 23 ndeshje në fushë, nga të cilat 21 si titullar mjaftuan për të treguar potencialin e tij, pasi përshëndeti rrjetën 9 herë.
Klubet e Superiores treguan menjëherë interes për të me Tiranën në “pole position”. Bardheblutë kërkuan ta bindin, pasi e njohin dhe më mirë duke qenë se e kanë patur si kundërshtar. Zisit nuk i mungon dëshira për të luajtur në Superiore, po problemi mbetet te kontrata me Bylisin. Presidenca e klubit të Kategorisë së Parë kërkon një shifër të majme për ta lënë të lirë. 24 herë kampionët e vendit nuk kanë mundësi të paguajnë dhe marrëveshja ka mbetur pezull momentalisht.