Rivalet e Juventusit në Serinë A kanë një ide si mund ti përgjigjen blerjes së Kristiano Ronaldos nga bardhezinjtë. Lojtari që mund të rikthejë disi balancat është Federiko Kieza. Sulmuesi është i përzgjedhuri i të gjitha pretendenteve për titullin.
Ançeloti e ka kërkuar si blerje e parë te Napoli, por Fiorentina pretendon 70- 80 milioni dhe kjo ka bërë që “të kaltërit” të zgjidhnin Verdin, në pritje për të kuptuar nëse mund ti rikthehen pistës “Kieza” pas disa shitjeve të rëndësishme.
Edhe Spaleti i ka shpjeguar Suning se pas afrimit të Naingolan, Kieza është lojtari i ëndrrave për Interin. Ideja është që ylli i Fiorentinës të blihet duke sakrifikuar Kandrevën dhe nëse është e nevojshme edhe Perisiç, me këtë të fundit që kërkohet nga Mançester Junajtid, ku Murinjo është gati të ofrojë deri në 50 milionë euro.
Në situatën e krijuar, Roma nuk kërkon të mbetet mbrapa dhe është gati të hyjë në garën për Kiezën. Verdhekuqtë mund të jenë pretendentë seriozë, në momentin kur në arkat e tyre mund të vijnë 70 deri në 75 milionë euro për Alison.
Dela Vale ka siguruar tifozët e Fiorentinës se ylli i skuadrës nuk do të largohet… të paktën jo këtë vit. Por, në Firence të gjithë shpresojnë se nëse realizohet afrimi i Pjacës, në 2019-ën nuk do të përsëritet një tjetër transferim si ai i Bernardeskit te Juventusi. Gjithçka mbetet për tu parë.