Me 30 golat e shënuar dhe 9 asistet e dhuruar sezonin e shkuar, padyshim që Romelu Lukaku nuk e pati të vështirë të fitonte zemrat e tifozëve të Interit. I ashtu quajturi “Mbreti i Milanos”, solli pas një dekade titullin kampion për zikaltrit dhe tashmë tifozeria kërkonte vetëm vazhdimësinë. Por vera solli të papritura dhe belgu vendos të largohet drejt Chelsea-t. Një shifër prej 115 milionë eurosh bëri që drejtuesit e klubit të mos mendoheshin gjatë, duke ditur edhe problemet e mëdha me financat që kishin përpara syve.
Një largim që në u vajtua gjatë nga tifozët e Interit, aq sa nisën edhe protestat kundër klubit të tyre të zemrës. Madje një derrkuc i vogël për mbledhje kursimesh u vendos pranë zyrave të Interit, duke ironizuar kështu faktin se drejtuesit e ekipit po josheshin nga paratë. Por si gjithmonë në fund është vetë koha që jep përgjigjet më të mira dhe vendos se çfarë ishte e drejtë e çfarë jo.
Sezoni i ri e gjen Interin në krye të tabelës së klasifikimit dhe me një Edin Dzeko që bëri shpejt të harrohet emri i Lukakut në kampin zikaltër. Drejtuesit tashmë kanë dysfish arsye për të buzëqeshur, vazhdimësinë e rezultateve të kaluara dhe 115 milionë më shumë në llogarinë bakarë.
Një shifër kjo që Chelsea e shpenzoi vetëm për…6 gola. Kaq totali i herëve që Lukaku ka tundur rrjetën për blutë e Londrës, ku 4 i ka shënuar në kampionat dhe 2 në Champions League. Ndoshta tashmë që shifrat dhe koha kanë thënë fjalën e tyre, tifozët mund të kthehen pas në kohë e të kujtojnë këmbënguljen e madhe për të mbajtur Lukakun në Milano dhe të pyesin vetën: A ia vlejti?/Sport Ekspres/