Incidentet në Korçë, Partizani reagon me “shigjeta”

Partizani ka thyer heshtjen dhe ka reaguar për incidentet e ndodhura në Korçë gjatë ndeshjes me Skënderbeun. Më shumë se një reagim, është një koment i klubit të kuq dhe gjithçka thuhet është se përgjegjësia nuk është e tyre.

Sigurisht, klubi i Skënderbeut si organizator duhet të kishte marrë masat e duhura dhe masat e sigurisë të ishin më të larta.

“Përgjatë ditëve të fundi klubi Partizani ka monitoruar dhe ndjekur me qetësi të gjitha informacionet e pasqyruara nga mediat e shkruara, portalet, studiot televizive dhe opinionet nga njerëzit e komunitetit të sportit, në lidhje me incidentet e ndodhura në takimin premier të Kampionatit, Skënderbeu – Partizani.

Saktësojmë se klubi ynë nuk pajtohet kurresi me ngjarje të tilla të cilat prishin imazhin dhe nuk i shërbejnë futbollit të luajtur dhe Fair Play- it në fushë dhe tribuna. Përgjatë gjithë ditëve të fundit episodet e shfaqura në Korçë janë komentuar si dështim i eksperimentit pa prezencën e forcave të rendit. Fakt është se prezenca e stjuartëve privat në stadium nuk mund të quhet eksperiment nga momenti kur është bërë ndryshimi i ligjit dhe rolin kryesor në mbarvajtjen e garës e ka klubi pritës.

 

Theksojmë se klubi Partizani për vite me radhë ka zbatuar me rigorozitet dhe korrektësi organizimin dhe mbarëvatjen e ndeshjeve në kryeqytet, duke mos shënuar qoftë edhe incidentin më të vogël, i cili cënon aktivitetin apo garën sportive. E riktheksojmë ne si klub nuk pajtohemi kurrsesi me ngjarjet fundit të ndodhura mes dy tifozerive, ndaj gjithmonë do të mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me të gjitha instancat përgjegjëse të përfshira, për një mbarëvatje sa më korrekte të aktiviteteve sportive.

Klubi Partizani e ka për detyrim rikthimin e tifozëve në stadium,  duke u evidentuar edhe si klubi me mbështetësit më të shumtë në vend. Objektivi madhor i yni është që t’i kthejmë stadiumet në arena argëtimi, pasi sporti luhet për publikun dhe ky duhet të jetë misioni dhe objektivi parësor i çdo klubi.

Te Partizani marrëdhëniet klub + tifozeri janë një binom i pandashëm. Falë takimeve dhe kontakteve thuajse çdo javë, pjesë kjo e politikës së klubit, synojmë të përmirësojmë dhe forcojmë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me tifozerinë tonë, e cila është pjesë thelbësore me prezencën dhe mbështetjen pa kushte që i jep skuadrës në çdo ndeshje”, thuhet në deklaratën e Partizanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *