Armend Dallku ka reaguar ashpër për fjalët e thëna nga Andin Lokaj, që shkaktuan shumë jehonë. Ish-futbollisti i Kombëtares ishte në emisionin “Shqipëria LIVE”, duke kujtuar se Shqipëria i ka hapur derën lojtarëve të Kosovës dhe se FSHF ka lobuar shumë që dardanët të pranohen në UEFA.
“Milaimi e tha në zhargonin më të mirë: “E lëshoi si lopa-bajgën”. Vetëm kjo fjali “ne dhe ata” nuk më pëlqen fare. Zotëria në fjalë ka qenë tifoz i Shqipërisë 10 vite më parë kur luaja unë, na ka ndjekur ne dhe unë e di shumë mirë se e kam parë personalisht. Sot, pas 10 vitesh ka ndryshuar mendje dhe nuk e di arsyen.
Filloi me ne dhe ata, njerëzve të tillë nuk duhet t’i jepet hapësirë. E ka bërë për vëmendje, padyshim. Nëse flasim me ne dhe ata, atëherë duhet të themi se ishin ata, Shqipëria, që u hapi derën gjithë lojtarëve shqiptarë të Kosovës që të përfaqësoheshin në çdo grupmoshë pasi Kosova nuk ekzistonte atëherë. Pastaj nuk duhet të harrojmë se FSHF me në krye Armand Dukën loboi fuqishëm në UEFA që Kosova u pranua.
Lokaj duhet të dali publikisht dhe të kërkoj falje. Janë inate të vjetra, pasi e kanë shkarkuar nga Digitalbi. Pastaj shkoi dhe arriti deri në atë pikë që kundërshtoi edhe presidentin e ndierë Fadil Vokrri, që tha se Panajot Pano është futbollisti më i mirë i të gjithë shqiptarëve. Janë inate të vjetra”, tha Dallku. /Sport Ekspres/