Rei Manaj ka folur hapur në intervistën e dhënë së fundmi për “Fanatik”-un. Sulmuesi shqiptar i ka shkelur syrin klubeve të mëdha të Turqisë, teksa ka pranuar se mund të luajë pa problem në secilën prej tyre. Sa i përket krahasimit me sulmuesit e njohur të ligës si Imobile, Xheko, Osimheni, apo Ikardi, Manaj ka theksuar se ndodhet në kushte të pabarabarta me ta. Ai nënvijëzon faktin se klube si Gallatasarai prodhojnë 12 raste shënimi në ndeshje, ndërsa Shivaspori një numër të tillë rastesh e prodhon në 20 ndeshje.
“Gallatasarai, Fenerbahçja, Beshiktashi, Trabzonspori, këta janë klubet më të mëdha në Turqi. Mund të luaj për të 4 klubet. Të gjithë duan të luajnë për to. Besoj se mund të bëj diferencën aty. Sigurisht që njërën prej tyre e kam më përzemër, por nuk dua t’ja them emrin. Ajo që më pëlqen më shumë në këto klube të mëdha të Turqisë, është fakti që luan gjithmonë në stadiume të mëdha me nga 30-40 mijë tifozë. Kjo më jep shumë adrenalinë. Është shumë e rëndësishme për mua që të luaj me presion.
Sulmuesit e njohur në ligën turke? Janë sulmues të mirë, por nuk jemi në kushte të barabarta për t’u shpallur golashënuesi më i mirë. Nëse shihni ndeshjen Gallatasarai-Ejupspor, Gallatasarai kishte 12 raste për gol. Në Shivaspor 12 raste për gol nuk ndodhin në 25 ndeshje, jo në një të vetme. Në Gallatasarai, Beshiktash, në klubet e mëdha, kanë mesatarisht nga 8-9 raste për gol në ndeshje. Nëse shkoj në një nga këto klube, atëherë mund të bëjmë krahasime”, ka thënë Rei Manaj./Sport Ekspres/