Imami: Keqardhje për Teutën, por do marrim katër fitore

 

Eni Imami ka arritur t’i fitojë të tre trofetë kombëtarë me Kukësin. Edhe pse u afrua si një mbrojtës në radhët e verilindorëve, ai ka luajtur në disa pozicione. Për “Sport Ekspres” ai tregon se po përshtatet më së miri si një mesfushor qendre, ndërkohë që është i kënaqur sa i përket ecurisë në këtë sezon. Në lidhje me ndeshjen e radhës me Teutën, kryeqytetasi, i cili ka qenë pjesë e durrsakëve në të shkuarën, tregon se i vjen keq për pozitat ku ndodhen “djemtë e detit”, megjithatë thekson se skuadra duhet të marrë këtë fitore për të siguruar dhe matematikisht vendin e dytë.

SEZONI ME KUKËSIN – “Mendoj se ka qenë një sezon deri diku i mirë. Nuk i arritëm objektivat, por treguam dhe njëherë që jemi ekip shumë i fortë në kampionat dhe në Kupë, pavarësisht se u eliminuam. Mendoj se ka qenë një sezon pozitiv. Aspekti personal? Në këto 3 vite te Kukësi jam rritur ndjeshëm si futbollist. Për këtë i jam mirënjohës trajnerëve që kam pasur dhe kam aktualisht. Pavarësisht kësaj, gjithmonë ka vend për përmirësim. Ndonjëherë kam dashur të luaj më shumë, pasi mendoj se kam bërë mirë për ta merituar këtë, por gjithsesi me numrin e ndeshjeve që kam nuk jam keq. Sa i përket pozicionit tim, që në ekipet e moshave jam aktivizuar në mbrojtje, por këtë vit kam zbuluar që mund të luaj shumë mirë dhe si mesfushor qendre. Për këtë më vjen mirë, pasi sa më shumë pozicione në fushë të mbuloj, aq më mirë është”.

FUNDI I KAMPIONATIT – “Do i shfrytëzojmë të gjitha ndeshjet maksimalisht. Të marrim të gjithë pikët e mundshme. Edhe katër javë kanë mbetur, pastaj do jemi të qetë për të pushuar dhe të karikohemi për Kupat e Europës”.

NDESHJA ME TEUTËN – “Kundërshtari do japë gjithçka. Më vjen keq që ndodhen në atë pozitë, por ne i duam pikët për vete, pasi akoma nuk e kemi siguruar matematikisht vendin e dytë. Gjithsesi do jetë një ndeshje e bukur dhe për t’u shijuar. Barazimi një mundësi? Ne do futemi për 3 pikë. Nuk është në stilin tonë të futemi për barazim. Se çfarë sjell loja nuk i dihet, por uroj të dalim me 3 pikët nga Durrësi”.

EUROPA – Për momentin jemi fokusuar në kampionat, pasi ende s’kemi siguruar vendin e dytë, por uroj që të kalojmë ture dhe pse jo të bëhemi ekipi i dytë që luajmë në grupe të Europa League apo Champions League”.

E ARDHMJA –  “Kam dhe 1 vit e gjysmë kontratë. Dëshira është ta respektoj, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. Gjithsesi ka kohë për të menduar për merkaton”.

Jurgen Zela

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *