Iliria ka mbyllur dje përgatitjet për sfidën e sotme ndaj Bylisit dhe është gati për nisjen e pjesës së dytë të kampionatit. Fushë-Krujasit janë “dëmtuar” paksa nga largimi i mesfushorit Mëllugja dhe sulmuesit Anton Lleshi, por tashmë pas largimit të lezhjanit, “peshën” kryesore të sulmit do ta mbajë sulmuesi Albi Xhabrahimi. Në një prononcim për “Sport Ekspres” Xhabrahimi shprehet: “Është ndeshja e parë zyrtare për 2018-ën, dhe pavarësisht se përballë kemi një kundërshtar të fortë si Bylisi, do të synojmë marrjen e tri pikëve me çdo kusht. Nuk na lejohen më hapa fals, aq më tepër në fushën tonë. Jam i bindur se do ta nisim mbarë”, – deklaroi Xhabrahimi shkurtimisht për gazetën.
Formacioni i mundshëm: Baku, Sala, Papleka, Boci, Balloku, Doçi, Kurti, Bardhi, Berberi, Gjokeja, Xhabrahimi. Trajner: F. Sala.