Një histori mbreslënëse u shkrua në fletët e saj, me gërma të mëdha, për të artat duhet pritur edhe pak kohë. Ballkani, një ekip i cili i përket Suharekës ishte debutues në Europë. Për herë të parë do të dilte kampion në Kosovë dhe provonte shijen europiane. Vend i vogël që nuk i kalon më shumë sesa 60.000 banorë, praktikisht sa një lagje e Tiranës.
Këto statistika nuk lidhen shumë me futbollin, por mund t’i shtojë sadopak vlerë arritjes së madhe. Megjithatë Ilir Daja është i stërvitur me përjetime të tilla, nuk është hera e parë për të. Për më tepër, i stërvitur me mentalitetin ballkanas të ekstremeve. Sot është heroi i të gjithë shqiptarëve, ndërsa nesër do të jetë vetëm i vetes.
Nëse Ballkani do të eliminohet në fazën e fundit nga Shkupi, po i gjithë ambienti sportiv që po e ngre në qiell të shtatë skuadrën e Suharekës dhe Ilir Dajën, do të kujtojnë se eliminuan rivalin nga Ishujt Faroe me penallti dhe mundën pastër atë të San Marinos. Sonte është një mbrëmje e gjitha për t’u shijuar, por jo për t’u dehur nga gëzimi, profesori e di më së miri se fjala e fundit mbetet për t’u thënë… /Sport Ekspres/