“Ika nga familja që 14-vjeç për futbollin”, Esat Mala rrëfehet: Në Kombëtaren A dhe në elitën e Europës

Esat Mala është elementi që ka spikatur shumë te Partizani dhe që ka përfaqësuar denjësisht fanellën e kryeqytetasve. Disa mosmarrëveshje me presidentin Demi dhe dëshira për të bërë shëmbull më kot e nxorrën mesfushorin nga ekipi i parë i Partizanit. Megjithatë Mala në asnjë moment të vetëm nuk ka ngritur zërin për padrejtësinë, madje me shumë profesionalizëm duke u stërvitur dhe duke kontribuar me të rinjtë.

Deri në momentin që te Partizani u dorëzuan dhe do ta rikthenin sërish në skuadër. Pra një shembull ky për të treguar se flitet për një lojtar shembull edhe në sjellje. Në një intervistë për “FSHF.Org”, Mala është rrëfyer sa i përket karrierës dhe sakrificave, por duke treguar edhe dëshirën për të ardhmen.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Që në moshë shumë të vogël kam ndjekur shumë futboll me vëllain dhe babain. Më duhet të pranoj se përjetoja emocione shumë të forta kur shikoja ndeshjet, dhe nga ato emocione më pas filloi dhe pasioni im për futbollin, duke vemdosur të provoj veten time dhe të stërvitem me një skuadër.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Ka qënë vëllai im. Ai është 5 vite më i madh se unë dhe gjithmonë që në moshën më të hershme më ka marrë të luajë me shokët e tij dhe më ka afruar shumë me futbollin. Siç e theksova edhe më lart, më pas ka qënë babai ai që ka shtyrë të ndjek futbollin profesionist. Babai dhe e gjithë familja më ndihmojnë vazhdimisht në punën time, duke më inkurajuar dhe qëndruar pranë çdo moment, kjo ka ndodhur që nga fillimet e deri më tani.

– Si stërvitesh, si punon?

– Të gjithë trajnerët dhe njerëzit që kam pasur afër që në moshë të vogël më kanë shtyrë që të ul kokën dhe të punoj fort. Stërvitjen individuale, palestrën, e alternoj në mënyrën më të mirë me orarin e stërvitjes që zhvilloj me skuadrën. Kam qenë gjithmonë i përulur dhe kam punuar shumë.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Sakrifica më e madhe që kam bërë, mund ta them me bindje të plotë, është qëndrimi larg familjes vetëm që nga mosha 14-vjeçare kur kam ardhur në Tiranë dhe jam regjistruar te Shkëndija e Tiranës.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimet e mia për të ardhmen janë të fiksuara fort në mendjen time. Dua që të arrij të luaj në një nga kampionatet më të forta në Europë dhe të arrij të jem pjesë e Kombëtares A të Shqipërisë dhe ta përfaqësoj denjësisht atë fanellë.

– Cila është motoja jote apo mesazhi për bashkëmoshatarët e tu?

– Më duhet t’i referohem motos sime, për t’i dërguar këtë mesazh moshatarëve të mi dhe më të rinjve. “Çdo synim duket i pamundur deri sa ta arrish atë”. Unë kam ecur në çdo moment me këtë parim.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Migjen Basha është lojtari dhe njeriu që më ka lënë më shumë përshtyje, si në fushën e lojës ashtu edhe jashtë saj. /Elio Hajdari- Sport Ekspres/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *