Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit, duke folur për emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, ka reaguar edhe për dënimin për të luajtur katër ndeshje pa tifozë, duke denoncuar sërish Komisionin e Disiplinës, që sipas tij ndikohet nga presidenti Armand Duka, që e ka personale me Flamurtarin. Ai shpjegon në fillim koreografinë që u pa si ofensive: “Mungon civilizimi në futbollin shqiptar. Dekori që kishim vendosur vinte nga grupi Pink Floid dhe kënga e tyre “Dogs” (si dhe një poster i librit Animal Farm). Ishte diçka e bukur, edhe në stadiume të tjera në botë është parë, por nuk është pritur kështu si te ne, duke marrë këtë vendim që morën. Nuk luhet futboll në Shqipëri sa të jetë ai zotëria në atë karrige”.
Sakaq, mbi Disiplinën: “Dëshpërimi im i dytë janë anëtarët e Komisionit të Disiplinës. Nga këta ka familje të nderuara shqiptare, të kombit. Njerëz që nënshtrohen në këtë farë feje nga një pjesë karrigeje dhe urdhër për të dëmtuar Flamurtarin. Nëse i merr të tri personat e Komisionit, vë re se janë me vlera, por fatkeqësisht këto vlera kanë munguar me këtë vendim që morën. Ishte më tepër se e tepruar”.