Administratori Idrizi lë gjithçka të hapur për trajnerin e ri: “Të përfundojë Ramazani, kemi kohë. Do të ketë zhvillime të reja. Emri i Dajës përmendet gjithmonë e më shpesh
Elton Nika
Ardi Behari do të jetë në krye të Flamurtarit edhe për sezonin e ardhshëm. Ky ishte lajmi që u përhap me shpejtësi paraditen e djeshme dhe u duk një konfirmim zyrtar nga ana e klubit vlonjat, por më pas, një deklaratë e administratorit Sinan Idrizi, e ktheu situatën në gjendjen e mëparshme. Pra, drejtuesi kryesor i klubit vlonjat nuk e ka zyrtarizuar Beharin, thjesht ka pohuar se ai është kandidat dhe duket se do të ketë një duel mes tij dhe Ilir Dajës për stolin kuqezi. Varet si do të shkojnë gjërat ditët në vazhdim dhe aktualisht asgjë nuk mund të thuhet me siguri. Më parë është thënë se Behari është kandidat serioz për të drejtuar skuadrën kuqezi në vazhdim, por fakti që ai nuk konfirmohet zyrtarisht, do të thotë se në klubin vlonjat janë të pavendosur dhe se ndonjë kandidat tjetër e mban situatën pezull.
IDRIZI – Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka konfirmuar dje pasdite për Sport Ekspres se shumë shpejt do të ketë zhvillime të reja të formës zyrtare, por pa dhënë detaje: “Ardi Behari në krye të Flamurtarit? Behari është pjesë e klubit, e strukturave tona, por nuk e di nga dalin informacionet se ai është zyrtarizuar si trajner. Sapo kam ardhur në Shqipëri dhe më pyesin për trajnerin e ri. E kam theksuar shpesh se nuk kemi vendosur ende asgjë në lidhje me trajnerin e sezonit të ardhshëm. Më pyetën, nëse mund të jetë Ardi Behari trajner dhe unë kam thënë: po, edhe Behari mund të jetë, por asgjë më shumë se kaq, apo ta zyrtarizoj Ardin në krye të Flamurtarit. Prisni sa të mbarojë Ramazani, këtë e kam thënë gjithmonë. Ju lutem prisni! Më kanë thënë se në Vlorë ka qenë edhe Daja, por në fakt nuk e kam parë. Këtu mund të vijë për pushime ai dhe kushdo tjetër. Ju lutem, nuk ka ende asgjë zyrtare. Pasi të përfundojë Ramazani, do të dal vetë në një deklaratë për mediet dhe do të flas me detaje për lëvizjet në klubin e futbollit Flamurtari. Jo vetëm për trajnerin, por edhe për lëvizje të tjera, që pritet të jenë zyrtare së shpejti. E kam thënë se ka kohë për të bërë gjithçka me qetësi, me qëllimin që skuadra të jetë gati në fillim të korrikut, kur mendojmë se do të nisim përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Një sezon, ku duam të jemi dinjitozë, – ka thënë administratori Idrizi dje për Sport Ekspres.
DAJA Përtej diplomacisë së administratorit Idrizi, duhet thënë se emri i Dajës është përfolur gjatë gjithë kësaj periudhe në Vlorë. Por ka pasur rezerva për këtë alternativë, duke qenë se pritej vendimi i CAS-it në lidhje me Skënderbeun. Një vendim që ka ardhur dje dhe që është në favor të Flamurtarit. Korçarët nuk luajnë në Europë dhe trajneri Daja me shumë mundësi do të largohet në të tilla kushte, kështu që te Flamurtari duan të përfitojnë për të pasur në stol trajnerin kampion sezonin e ardhshëm. Ilir Daja realisht ka qenë në Vlorë, për pushime, por nuk përjashtohet mundësia që me të të ketë pasur biseda në lidhje me drejtimin e Flamurtarit. Trajnerin kryeqytetas dje e ka pasur telefonin të fikur dhe ishte e vështirë të mësohej diçka më shumë. Sidoqoftë, ai është një kandidat serioz për stolin kuqezi dhe tani mbetet që administratori Idrizi të vendosë mes tij dhe Beharit. Ndoshta Daja ka jo vetëm favorin se është trajneri kampion, por edhe atë se mund të sjellë në Vlorë lojtarë me kualitet nga ekipi korçar.