Idrizaj largon pesimizmin te Kamza: Sezon të tillë e ëndërronim!

Mbrojtësi vlonjat i Kamzës nuk e konsideron tragjedi humbjen e fundit, ndërsa largon pesimizmin: Jemi në pozita të shkëlqyera, nuk mund të shkatërrojmë atë që kemi ndërtuar

Viti 2018 ka nisur paksa çuditshëm për Kamzën, që ka ecur me një ritëm konstant, duke alternuar çdo javë fitoren me humbjen, por nëse në 10 shkurt fitorja në Kukës bënte të flitej për Europë, disfata e mesjavës ndaj Teutës ka ulur ndjeshëm entuziazmin. Në fakt, diçka e tillë nuk ka fort logjikë, sepse Kamza është vetëm 4 pikë larg vendit të dytë dhe është mbi Partizanin, kush do ta mendonte verën e shkuar? Këtë linjë ndjek pak a shumë edhe mbrojtësi vlonjat Hektor Idrizaj, një ndër 7 lojtarët më të aktivizuar të sezonit te Kamza, i cili ka provuar të luajë edhe me ekipe me emër të madh si Flamurtari e Skënderbeu dhe e di mirë çdo të thotë të luash një sezon konstant dhe të dish të përballosh edhe krizat, pasi ka parë gjithçka gjatë karrierës së vet.

SEZONI I KAMZËS – “Na shihnin si klub inferior dhe pa eksperiencë, ndoshta na llogarisnin të rënë në verë dhe me siguri kemi prishur shumë plane e llogari. Tani në rrezik të madh janë disa klube, edhe me emër, ndërsa sezoni ynë ka qenë i shkëlqyer, por duhet të ruajmë qetësinë dhe ritmin deri në fund, sepse mjaftojnë pak gabime rresht që gjithçka të marrë për ters. Realisht, jam befasuar për mirë te Kamza, sepse klubi ka bërë një punë të shkëlqyer, duke nisur që nga ndëtimi i skuadrës në verë e deri te korrektësia financiare gjatë gjithë sezonit”.

MOMENTI JO I LUMTUR – Humbje ndaj Teutës, pakënaqësi në ambient, shans i djegur për të zhytur përfundimisht një nga skuadrat e fundtabelës, Kamza kishte shumë arsye për të qenë e mërzitur pas humbjes së mesjavës. Megjithatë, Idrizaj e sheh gotën gjysmëplot: “Ishte vetëm një humbje, i ndodh çdo ekipi, mjafton të shohim që Flamurtari humbi në shtëpi, Skënderbeu është ndalur dy herë nga ne, Kukësi është mundur në shtëpi nga Lushnja, që i ka marrë pikë edhe Partizanit. Nuk ka arsye për panik e depresion, sezoni është fantastik deri tani dhe do kishim paguar nga xhepi për të qenë kaq lart në renditje në mars”.

KAMPIONATI – Për Idrizajn, kampionati aktual është shumë më i vështirë nga sa pritej, për disa arsye: “Normalisht, ne jemi Kamza, nuk niseshim dot për të tentuar Europën. Megjithatë, fakti që disa emra të mëdhenj po vuajnë bën që kampionati të bëhet edhe më i ndërlikuar, pasi asnjë ekip nuk e ul dot ritmin dhe çdo humbje kushton shtrenjtë. Duke përjashtuar Lushnjën, që për fat të keq të saj dhe të kampionatit, duket e dorëzuar, skuadrat e tjerë e kanë luftë çdo javë dhe kjo është edhe një arsye pse mungon loja e bukur, që shpesh kërkohet pa shumë logjikë, sepse kampionati shqiptar asnjëherë nuk ka dhuruar spektakël, të paktën në dekadat e fundit”.

IDRIZAJ SI “ÇELËS ANGLEZ” – Mbrojtës i majtë, i djathtë, mesfushor krahu, Idrizaj po i provon të gjitha në Kamzë: “Nuk është e lehtë, pasi natyrisht një futbollist jep më shumë kur ambientohet dhe luan me vazhdimësi në një pozicion. Megjithatë, një nga armët e Kamzës është që kemi shumë lojtarë që sakrifikojnë dhe luajnë në role të ndryshme”.

HUMBJA NDAJ TEUTËS – “E çuditshme, na duket sikur po luajmë jashtë fushe edhe kur jemi në Kamzë. Tifozë nuk ka shumë, atmosfera është tepër e qetë dhe kundërshtarët vijnë e luajnë lirshëm, duke pritur për të na goditur në kundërsulm, që në fakt ka qenë arma jonë më e mirë deri tani. Teuta është një ndër ekipet më ekspertë në Shqipëri për ndeshjet jashtë fushe, shihni ecurinë e tyre në transfertë, edhe sivjet që duken në krizë. Kanë marrë pikë në Vlorë e në shumë fusha të tjera, duke luajtur mjaft mirë. Përfituan nga dy gabimet tona në vendosje, ndërsa nuk patëm as fat në disa momente, pa harruar gjykimin. Janë gjëra të vogla, por që bëjnë diferencën, si në një rast kur u dha një pozicion jashtë loje inekzistent dhe lojtari ynë ishte i vetëm me portierin e Teutës, apo në faulle pa fund që e copëtonin ritmin e lojës”.

LUFTËTARI PËRPARA – “Në Gjirokastër ka nisur ngjitja jonë e pandalshme, kur fituam në fazën e parë, ndaj nuk ka pse të kemi frikë. Unë nuk do të jem, për një problem të vogël fizik, si dhe kemi edhe ndonjë mungesë tjetër, por skuadra ka stol cilësor dhe besojmë se mund të marrim rezultat, aq më shumë që jashtë fushe luajmë gjithnjë mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *