“Idhulli është Etrit Berisha”, flet Hyska: Futbolli i femrave po rritet në Shqipëri, synimi është titulli kampion

Portierja e talentuar e Kombëtares së femrave, Antigoni Hyska i ka krijuar lidhjet me futbollin në ambientet e shkollës. Edhe pse vetëm 17 vjeçe, Antigoni ka arritur të përjetojë emocionet e debutimit me Kombëtaren A. Hyska aktivizohet me klubin e Apolonisë, duke qenë pjesë e ekipit që e vogël, falë ndërhyrjes së kushërirës së saj, e cila shihte te Antigoni talent dhe dëshirë për të luajtur futboll.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, Antigoni Hyska tregon se synimi kryesor është të fitojë titullin kampion me klubin e Apolonisë. Ajo vlerëson FSHF për prioritetin që po i jep futbollit të femrave dhe njëkohësisht kërkon mbështetje. Sakrificat, episodet e lumtura në karrierë dhe më shumë, Hyska i rrëfen në intervistën më poshtë. 

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

 Në shkollë, edhe pse shpesh mërzitemi, kalojmë momente mjaft të bukura dhe thurim ëndrra për të ardhmen. Pikërisht, në ambientet e shkollës, unë krijova lidhjet e para me futbollin. Luaja me djemtë dhe kuptova që kjo lojë më përket dhe njëkohësisht i përkas. Më pas, në mënyrë profesionale u regjistrova në ekipin e moshave të Apolonisë për femra dhe tashmë jam pjesë e ekipit të parë. Vajza e tezes time shihte tek unë se me sa pasion se me sa dëshirë luaja futboll. E falënderoj sepse, duke parë dëshirën time të madhe që kisha të isha pjesë e një ekipi futbolli, kërkoi dhe më prezantoi me drejtuesen e ekipeve të moshave të ekipit të Apolonisë, kur unë u bëra pjesë e tyre. Më pas, klubi më ofroi të bëhem pjesë e ekipit të parë, ku edhe ndodhem aktualisht.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin në Kombëtare dhe në klub?

– Kam një marrëdhënie shumë të mirë edhe me grupin edhe me trajnerin, si në Kombëtare ashtu edhe në klubin ku luaj. Duke qenë vajza, merremi vesh mirë dhe jemi një grup i mirë. Nuk ka xhelozi mes nesh, pasi kemi si qëllim të rritemi dhe të mbështesim njëra-tjetrën.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga Kombëtarja?

 Ka qenë një moment, të cilin e kujtoj si të çuditshëm, pasi m’u duk si e pabesueshme. Kisha shumë emocione, pasi edhe pse kam luajtur shumë ndeshje me Kombëtaret e moshave, të luash me Kombëtaren e madhe ishte shumë ndryshe. Ndjesi të paharrueshme do të thoja. Plotësova një nga ëndrrat e mia dhe realizova një nga qëllimet kryesore që kisha.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani ?

 Do të kujtoja dy episode, i pari është një ndeshje që kemi zhvilluar kundër Vllaznisë, të cilën arritëm ta ndalnim dhe ku kam bërë një paraqitje vërtetë të mirë për të cilën jam vlerësuar. Episodi i dytë është padyshim debutimi me Kombëtaren, në ndeshjen kundër Skocisë.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

 Në momente të vështira, duhet gjetur motivimi. Unë mundohem gjithmonë t’jua shpreh të gjithë vajzave këtë gjë, të kenë sa më shumë kurajo dhe të qëndrojmë të bashkuara për të marrë rezultat në ndeshjet e ardhshme. Edhe ekipet më të mira në botë nuk marrin gjithmonë rezultate pozitive. Motivimi është arma kryesore.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin ?

 Kam ndjekur pasionin që e vogël dhe duke u marrë me futboll që e vogël, kam lënë mënjanë gjëra të tjera. Ndiqja stërvitjet çdo ditë dhe vija në kohë. Gjithashtu, mbaj mend që një kohë u dëmtova te gjuri, por pavarësisht dëmtimit, arrita t’i mbyll me ekipin të gjitha ndeshjet e mbetura.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Fillimisht dua të theksoj se jam shumë e fokusuar te klubi ku unë luaj. Synim kryesor është që bashkë me ekipin të arrijmë të shpallemi kampione të Shqipërisë. Po punoj shumë dhe po stërvitem jo vetëm në seancat stërvitore me ekipin, por edhe individualisht. Uroj që një ditë të jem pjesë e ekipeve europiane.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

 Këshilla marr kryesisht nga familjarët e mi. Këshillën që kujtoj gjithmonë është që sado lart që të arrij, ta konsideroj si një fitore për veten, jo për të tjerët dhe sa herë që të bie, të ngrihem e vetme dhe mos të pres nga të tjerët.

– Si e vlerëson faktin që Federata Shqiptare e Futbollit po i jep prioritet futbollit të femrave?

 Mendoj se do të sjellë një rritje të numrit të vajzave që merren me futboll. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë. Ne shohim që këtë vit kemi skuadra të reja që i janë shtuar kampionatit. Kur flasim për barazi gjinore, duhet të jemi të barabartë dhe në fushë. Ne kemi nevojë për mbështetje.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Idhulli im në Kombëtare është Etrit Berisha. I qartë në pozicion, i përqendruar dhe të jep siguri në çdo ndeshje.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që i thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Mund të duket klishe, por të ndjekin ëndrrën. Fundja, jeta është e tyre dhe jo e të tjerëve. Futbolli është sporti më i bukur në botë. Është me fat çdo vajzë që ka talent dhe di të luajë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *