Vendi i Marash Kumbullës në mbrojtjen e Veronës po rezulton të jetë i bekuar. Pas suksesit të jashtëzakonshëm që pati futbollisti shqiptar, që shkëlqeu me sezonin e tij debutues në Serie A, duke tërhequr pas tij gjithë emrat e mëdhenj të futbollit italian e duke firmosur më pas me një klub me peshë si Roma, edhe pasardhësi i tij duket të jetë në të njëjtën rrugë.
Mateo Lovato është 20-vjeçari që gjeti gati vendin e Marash Kumbullës në prapavijë, ku bashkë me të duket se ka gjetur edhe suksesin. Mediat italiane raportojnë se “Kumbulla i ri” ka rënë në sytë e Juventusit, që është bindur nga aftësitë e lojtarit, pavarësisht se janë luajtur vetëm 5 ndeshje në kampionat.
Një histori me shumë mundësi do të përsëritet. Nëse forma e Lovato do të mbetet e tillë, atëherë gara për të siguruar shërbimet e tij në verë do të jetë e madhe, duke bërë që Verona të jetë një minierë talentesh në mbrojtje. Madje konkurenca për talentin italian ka nisur që tani, teksa “La Gazzetta dello Sport“ bën me dije se edhe Milani qendron pas derës pritur shansin ta veshë kuqezi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/