Skënderbeu ka arritur të fitojë kundër Erzenit me shifrat 2-1. Korçarët janë kthyer te fitorja pas 3 humbjeve radhazi. Momenti kulminant i ndeshjes filloi nga minuta e 22. Një penallti u akordua në favor të korçarëve dhe u shndërrua në gol nga ana e Dean Licos.
Vetëm dy minuta më vonë, një tjetër penallti u akordua për Skënderbeun pasi Nikaj arriti që t’ia rrëmbente bukur kundërshtarit. Dean Liço gaboi dhe portieri i Erzenit, Hasanbelli, arriti të kuptonte idenë, megjithëse topi përfundoi në shtyllë.
Më pas penalltia u përsërit pasi disa lojtarë të Erzenit kishin hyrë në zonë përpara se Liço të godiste penalltinë. Por edhe njëherë tjetër, Liço zgjedh të njëjtin krahë dhe Hasanbelli mban portën e paprekur. Në pjesën e dytë ishte Shaqe që shënoi me kokë pas një goditje nga këndi, ndërsa Hasanbelli bëri edhe dy pritje të tjera të bukura për të shmangur një tjetër gol. Ndërkohë goli i nderit për Erzenit u shënua nga Kahrimanovic në fundin e takimit.
Gozdenovic: “Erzeni meriton përgëzime, është një ekip i fortë. Ne kishim shumë besim se do ta fitonim këtë ndeshje dhe e arritëm me sukses, e merituam. Kemi lojtarë të rinj, nuk kanë shumë eksperiencë në Superiore. Për këtë arsye kemi pasur disa luhatje në rezultate. Tre penallti rresht të Dean Licos? Po, është gabimi im. Në listën e penalltive, Liço është i pari dhe Nikaj është i dyti. Liço e shënoi penalltinë e parë dhe gaboi te penalltia e dytë. Kur do të përsëritej prapë penalltia e dytë, i thashë që t’ia linte Nikajt. Por ai më tha: “Trajner, të lutem, ta gjuaj unë se kam besim se do ta shënoj gol”. Ia lashë prapë Liços ekzekutimin dhe bëra gabim pasi ishte duke folur me emocion në atë moment, ishte gabimi im”.
Dellialisi: “Përveç 8 minutave të para, që po rrinim mbrapa për të lexuar kundërshtarin, më pas kemi dominuar ndeshjen. Kishte shumë lojë invaktive, një lojtar i Skënderbeut që qëndronte i shtrirë, ndërprerje të shumta nga arbitri, shikimi i VAR për shumë minuta. Pa dashur të justifikojmë asgjë, por kjo ishte ndeshja, ne u ndëshkuam nga dy episode që nuk ishin në favorin tonë”.