Besart Berisha është një garanci, mjafton të zbresë në fushë dhe skuadra t’i pasojë sa më shpesh topin. Sulmuesi shqiptar vazhdon të udhëheqë Melburn Viktorin drejt fazës play-off në kampionatin australian, sepse edhe sot ishte vendimtar në fitoren 3-0 arritur jashtë fushe, ndaj Uestern Sidnej.
Në minutën e 36-të Berisha dha asistin e golit të parë, shënuar nga Barbaruses, ndërsa në minutën e 68-të vetë Berisha vulosi fitoren.
Goli i shtatë në kampionat për Besartin, që është ende larg shifrave të tij të zakonshme, sepse nuk ka zbritur asnjëherë poshtë 13 golave në kampionatin australian, por kampionati ende nuk ka mbërritur në mesin e rrugës dhe përveç kësaj, golat e Berishës marrin më shumë vlerë kur shënohen në play-off, aty ku luhet seriozisht.
Berisha është shënuesi më i mirë në historinë e kampionatit australian, me më shumë se 100 gola, ndaj është e qartë që prej tij pritet gjithnjë maksimumi, por 32-vjeçari u përgjigjet kritikave që mori në fillim të sezonit, kur Melburni dhe vetë ai e nisën ngadalë, para se të kapin vendin e tretë me fitoren e sotme: “I kam dëgjuar kritikat, por unë përqendrohem te skuadra ime, mundohem të jem gati dhe të jap kontributin tim, çdo javë. Edhe unë jam njerëzor, gaboj shanse, por nuk dorëzohem kurrë dhe do të jap gjithnjë 100%. Ky është lloji i sulmuesit që jam. Ndonjëherë nuk funksionon, por unë nuk dorëzohem dhe jam i kënaqur që sot shënova dhe e ndihmova skuadrën”.