Rei Manaj u transferua te Barcelona B nga Albacete vetëm pak kohë më parë. Mjaftoi një debutim me ekipin e dytë në atë fitore me rezultatin 2-0 ndaj Ejeas dhe sulmuesi shqiptar është grumbulluar menjëherë nga trajneri Setien. Por vetëm për stërvitje, pasi Manaj nuk ishte pjesë e listës së Barcelonës para ndeshjes së Kupës me Leganesin.
Por duhet të theksojmë se futbollisti shqiptar vinte edhe nga një dëmtim dhe ka bërë vetëm 2 stërvitje përpara se të debutonte me Ejean. Nga një vëzhgim i bërë te lojtarët e Barcelonës së parë, nëse merkato do të mbyllet sot, rezulton se Rei Manaj është i vetmi “9” që gjendet te katalanasit, duke përfshirë këtu edhe të rinjtë. Pikërisht për këtë temë ka folur edhe trajneri i skuadrës së dytë të Barcelonës, Garcia Pimienta.
“Manaj ka të njëjtat shanse si të gjithë këtu për ekipin e parë. I përket datëlindjes 1997, që do të thotë brenda moshës U-23. Na jep ne shumë kualitete dhe nëse do të jetë e nevojshme, do të debutojë edhe me ekipin e parë. Puna e mirë këtu, ndeshjet e mira me Barcelonën B do t’i hapin rrugën si edhe shokëve të tjerë për të shkuar në ekipin A. Ai ka firmosur me qëllimin e qartë, që nëse është e mundur, të shkojë me ekipin e parë. Na sjell shumë”, ka thënë Pimienta. /Sport Ekspres/