“I themi që nuk është si në Itali dhe Gjermani“, Pejiç tregon për trajnerin: Është profesionist, mërzitet edhe për çorapet

Pero Pejiç është ftuar në studion e emisionit “Skaner“ në “MCN TV“, ku ka folur mbi Kukësin e këtij sezoni. Drejtori sportiv i verilindorëve tregon se ka besim te kjo skuadër dhe kjo falë punës mjaft të madhe dhe profesionale që zhvillon Diego Longo. Pejiç i thur elozhe trajnerit italian si dhe sqaron atë deklaratë pas ndeshjes me Teutën që nënkuptoi largimin e tij nga drejtimi i Kukësit.

“Unë kam shumë besim me këtë skuadër. Së pari nga trajneri, sepse ai është personi që studion çdo ndeshje, kundërshtarin, ku bën gabimin lojtarin. Këto detaje të vogla shkojnë drejt maksimumit. Do marrim 2-3 përforcime  dhe jemi gati. Shumica e lojtarëve janë të rinj dhe me ta do të punosh më shumë. Ata pësojnë shumë gola dhe nuk kanë besim te vetja. Trajneri çdo ditë pas stërvitjes punon me mbrojtësit 20-25 minuta.

Ne larguam 12 lojtarë këtë vit dhe afruam praprë 12 lojtarë. Kjo nuk është mirë për një skuadër, sepse trajneri ka shumë punë. Kam folur me Safetin. Kemi një lojë të mirë. Nuk kemi top të gjatë si më para. Fillon loja nga portieri. Jemi në rrugë të mirë.

Problemet që lindin mes raporteve trajner-drejtor? Trajneri ka një vizion tjetër dhe drejtori ka vision tjetër. Me trajnerin kemi mendje njësoj. Kur erdhi këtu për dy javë e pashë që ai është i duhuri për ne. Ka punuar me Luçeskun dhe ka mësuar shumë. Mungon një 9-sh si unë? Kishim bisedime me një lojtar shumë të mirë nga Holanda. Luante me Roda-n, por nuk ramë dakort. Do të tentojmë një numër 9-sh në janar.

Deklarata e Longos që nënkuptoi largimin? Ai është profesionist 100% dhe ka problem edhe nëse një lojtar vesh një bluzë të bardhë. Mërzitet shumë. Është profesionist në çdo aspekt, që nga çorapet dhe rrobat. Po i kemi thënë që shiko se këtu nuk je si në Itali dhe në Gjermani dhe tani është ambientuar. Kemi grup shumë të mirë. Nuk kemi lojtar bo.mbë që prish harmoninë. Shkojmë të gjithë shumë mirë. Trajneri nuk e lejon, kur një lojtar flet budallallëqe e heq direkt nga stërvitja. Është shumë profesionist“, është shprehur Pero Pejiç./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *