Ilija Iviç do të merrte një vëmendje të madhe, pasi do të ishte i pari serb që do të luante për përfaqësuesen e Kosovës. Grumbullimi në Turqi me ekipin e parë të Flamurtarit të Prishtinës ishte ai që i mohoi debutimin me 19-vjeçarët dardan, por vetë futbollisti e la të kuptohej se do të pranonte nëse ftesa do i vinte sërish. Ky lajm bëri bujë edhe në mediat serbe, të cilat e quanin një turp të madh përfaqësimin e Kosovës nga Iviç.
E mënjëherë nisën edhe presionet e para, teksa nëna e lojtarit të ri serb u pushua nga puna. Kërcënime për largim nga vendi i punës pati edhe për babain e tij, megjithëse ky i fundit nuk e pësoi të njëjtin fat si bashkëshortja e tij. Një veprim i tillë solli edhe reagimin e FFK-së si dhe të ambasadorit Gjerman në Kosovë, të cilët u shprehën hapur kundër politikave të tilla raciste, aq më tepër në një sport si futbolli që synimin e vetëm ka bashkimin.
Ndërkohë vetë futbollisit ka deklaruar se ndihet si në shtëpinë e tij në Kosovë dhe se patjetër që është i lumtur për ftesën e tyre, duke treguar kështu se nuk i intereson aspak politika, por vetëm futbolli është ai që i tërheq vëmendjen.
“Ndihem shumë mirë, ndihem si në shtëpi. Sinqerisht, isha shumë i lumtur sepse dikush po ma vlerësonte punën e palodhur dhe përkushtimin tim. Ishte fenomenale. Si mund të ndihet një lojtar futbolli kur merr një telefonatë nga një kombëtare?
Sa i përket presioneve, nëna m’u pushua nga puna, ndërsa babai u kërcënua se do të pushohej”, ka thënë Ilija Iviç./Sport Ekspres/