Libri i nxjerrë në treg nga Xhorxho Kielini pasqyron medimet e mbrojtësit të Juventusit për shumë nga kolegët e tij në fushën e blertë. Ndër figurat që përshihen në të nuk mund të mungonte emri i Serxho Ramosit. Të dy futbollistët janë simbole të ekipeve përkatëse dhe kanë edhe ngjashmëri në lojën e tyre si mbrojtës. Shumë e kritikojnë lojtarin spanjoll për ndërhyrjet e ashpra në fushën e lojës, ndërsa në finale e Champions League 2 vite më parë u kryqëzua nga tifozët.
Salah do të dilte me shpatull të thyer nga fusha pas asaj ndërhyrjeje të Ramosit, duke prishur kështu ëndrrën për të luajtur deri në fund një ndeshje finale në kompeticionin më prestigjoz për klube. Opinioni publik e konsideroi një gjest të ulët ndërhyrjen e mbrojtësit të Realit të Madridit, por Kielini duket se ka tjetër mendim. Madje e vlerëson së tepërmi duke e quajtur një goditje mjeshtërore veprimin ndaj Salah.
“Ramos është mbrojtësi më i mirë në botë. Ai di se si të jetë vendimtar në ndeshje të rëndësishme, me ndërhyrje përtej çdo logjike dhe duke shkaktuar madje edhe lëndime me dinakëri diabolike. Ajo ndaj Salah ishte një goditje mjeshtërore. Ai, Maestro Serxho, gjithmonë thoshte se nuk ishte qëllimi i tij për të shkaktuar një dëmtim, por kur të bini në atë mënyrë dhe të mos lëshoni kundërshtarin, ju e dini se nëntë herë nga dhjetë rrezikoni të thyeni krahun e tij”, shkruan Kielini në librin e tij.
Ndërkohë nuk lë pa përmendur edhe një pikë të fortë të spanjollit, që është forca që përcjell në ekip me prezencën e tij. Madje sipas kapitenit të Juventusit, kampionë si Varan e Marcelo do dukeshin fëmijë pa Ramosin.
“Ai përcjell një forcë vetëm me prezencën e tij. Pa Ramosin kampionë si Varan, Karvaja apo Marcelo duken si fëmijë të ekipit të të rinjve. Ata papritur bëjnë hapa pas dhe Reali kthehet në një skuadër pa mbrojtje”, shprehet Kielini./Halit Delibashi-Sport Ekspres/